Peter Beyer: Akuzat e Speciales nuk ia ulin meritat UÇK-së

schedule09:08 - 26 Qershor, 2020

schedule 09:08 - 26 Qershor, 2020

Raportuesi për Kosovën në Bundestagun gjerman dhe në Këshillin e Evropës, Peter Beyer, tha në një prononcim për DW se akuzat ndaj krerëve te UÇK-se janë hap pozitiv drejt pajiimit.

Deputeti gjerman i Unionit Kristiandemokrat, ka thënë se Prokuroria Speciale nuk akuzon UÇK-në, por disa individë të saj dhe i bën thirrje Kosovës të mbështesë Gjykatën Speciale në Hagë.

Të gjithë duhet ta shohin qartë se nuk është UÇK-ja që është në bankën e të akuzuarve këtu, por individë që ishin në pozicione drejtuese në UÇK në atë kohë. Meritat e  UÇK-së janë të padiskutueshme”, tha ai.

Ky zhvillim aktual duhet të shihet si një shenjë pozitive nga populli i Kosovës, pasi tregon se vendi është ne rrugën e shtetit kushtetues funksionues. Pajtimi është një element shumë i rëndësishëm në trajtimin e së kaluarës. Ai mund të funksionojë vetëm nëse identifikohen krimet e luftës – pavarësisht se kush i ka kryer –  dhe ndiqen ose dënohen në përputhje me të drejtën.

Gjykata Speciale dhe Prokurorët e saj luajnë këtu një rol vendimtar dhe duhet të mbështeten fuqimisht nga të gjitha forcat shoqërore dhe politike në Kosovë dhe partnerët evropianë.”

Beyer u bëri thirrje organeve ligjvënëse  në Kosovë që të mos e tërheqin bazën ligjore të Gjykatës Speciale.

“Nuk mund të përjashtohet mundësia që në Parlamentin e Republikës së Kosovës do të bëhen përpjekje për tërheqjen e bazës ligjore për Gjykatën Speciale. Përpjekjet e tilla duhet të kundërshtohen me gjithë qartësi në qasje. E njëjta vlen edhe për heqjen dorë nga imuniteti i Parlamentit. Çdo gjë më pak do të ishte fundi i besueshmërisë së elitave politike kosovare në rrugën drejt Evropës. Qytetarët e Kosovës nuk e kanë merituar këtë. E vërteta dhe vërtetësia është ajo që kanë pritur për një kohë të gjatë njerëzit në Kosovë,”është shprehur Beyer. /DW