Shkodra me rekord të prekurish me COVID-19, në qytete të tjera “infektohen” institucionet publike

schedule15:52 - 25 Qershor, 2020

schedule 15:52 - 25 Qershor, 2020

Virusi i ri vazhdon të përhapet me ritme të shpejta pothuajse në çdo qytet të vendit.

Në këto 24 orë Shkodra mban rekordin me 16 të infektuar të rinj.

Nga hetimet epidemiologjike kemi të infektuar në të gjitha lagjet. Nuk bëhet më fjalë për raste të izoluara sepse ka edhe persona që janë pjesë e institucioneve publike dhe private.

Pas Shkodrës është renditur Kruja me 13 të prekur të rinj të gjithë familjarë të prekurve të mëparshëm nga të cilët pjesa më e madhe janë gra. Por nuk raportohet për raste të rënda.

Ndërsa në Pukë 9 të konfirmuarit e rinj me COVID-19 janë persona kontakti që janë infektuar nga të afër të tyre që janë prekur më herët nga virusi.

Ndërkaq Delvina të martën u prek për herë të parë nga koronavirusi. Pacienti 0 në këtë qytet është një 60 vjeçar që dyshohet se është infektuar në komunitet.

Me një ditë diferencë u konfirmuan dhe 6 persona të tjerë me COVID-19, ata janë familjarë dhe miq të 60 vjeçarit.

Mes të prekurve nga koronavirus është dhe një punonjës i Policisë Bashkiakë të Delvinës.

Ai është karantinuar në banesë. Pas momentit që ai rezultoi pozitiv, ju është marrë tamponi familjarëve dhe kolegëve më të afërm të tij.

Epidemiologët për pak orë kanë mbyllur këtë institucion dhe kanë dezinfektuar ambientet e tij. Delvina me 7 të infektuarit duket se nuk kanë shqetësuar banorët.

“Mendoj se e kam kaluar që në shkurt sepse mbaj mend që kam pasur disa shenja që japin sot”, u shpreh një qytetar.

Ndërkaq dhe në Vlorë përgjatë gjithë javës janë raportuar të prekur me COVID. Së fundmi një i preku nga virusi sipas burimeve të ABC News është punonjës i një institucion shëndetësor që merr tamponët e të dyshuarve.

Ndërkohë janë konfirmuar 4 raste të reja me Covid-19 në Vlorë. 3 nga rastet, janë punonjës të një fasonerie, ndërsa tjetri është punonjës i Drejtorisë së Shëndetit Publik. Drejtoria nuk i ka mbyllur dyert dhe po punon me staf të reduktuar.

Kukësi konfirmohet me 4 të prekur të rinj. Bilancin për rikthimin e rasteve ditët e fundit e bën Drejtori i Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor Kukës, Fadil Morina. Ai tregon se ka të prekur dhe në dy institucione të rëndësishme të vendit.

“Këto ditë kemi një të prekur nga Drejtoria e Arsimit dhe një nga Dogana. Por fatmirësisht ishte rast i izoluar. Po ashtu edhe një rast i izoluar në Doganën e Morinës. Në një ceremoni mortore, na kanë rezultuar pozitiv 6 persona. Vetëm dje nga 13 mostra të dërguara 4 prej tyre dolën pozitivë”, u shpreh ai.

Në Gjirokastër, një ditë më parë ju janë marrë tampon 20 të dyshuarve me Covid 19 por vetëm 4 prej tyre rezultuan pozitiv.

Ata janë 3 familjarët të infektuarit të parë në këtë qytet që dhe humbi jetën ditën e shtunë, banorë të lagjes “Zinxhira”, kurse i katërti është vatër e re dhe burimet e ABC News thonë se është një ish-zyrtar i lartë.

Në Durrës janë regjistruar dy vatra të reja, banorë të dy lagjeve periferike të qytetit.

Nga një rast i ri është konfirmuar në Korçë dhe Pogradec. Një e moshuar nga Korça konsiderohet një vatër e re në këtë qytet për sa kohë nuk dihet se ku është infektuar saktësisht.

Dy ditë më parë shfaqi temperaturë dhe u shtrua në sanatoriumin e Korçës ku edhe ju mor tampon. Me marrjen e përgjigjes pozitive u dërgua në spitalin Infektiv në Tiranë. Ndërsa i infektuari i ri në Pogradec është i afërm i një prej punonjëseve të konsultores që u konfirmuan ditën e shtunë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!