Gjermania dhe Franca do t’i japin jetë këtë muaj një programi të ri për zëvendësimin e flotës së vjetëruar ajrore që përdoret për mbikëqyrjen e ujërave territoriale. Nisma, e paralajmëruar edhe më herët, vjen në një kohë kur në Europë është rritur shqetësimi nga patrullimet pa leje të nëndetëseve ruse. Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Ursula von der Lejen dhe homologia franceze Florens Parli pritet të nënshkruajnë marrrëveshjen për “Sistemin ajror të mbikëqyrjes detare” më 27 prill, kur hap dyert panairi i mjeteve ajrore në Berlin. Dy vendet ranë dakord vitin e kaluar për gjetjen e një zgjidhjeje europiane për zëvendësimin e flotës së avionëve mbikëqyrës të sipërfaqeve detare. Projekti, që synon të formalizojë planet e vendeve lider të BE-së, i hap rrugë edhe harmonizimit të ushtrive mes dy vendeve. Në fakt, nisma është pjesë e një programi më të gjerë franko-gjerman për të rritur bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, që mes të tjerash parashikon prodhimin e një modeli të ri avionësh. Aktualisht Gjermania përdor modelin “P-3C Orion”, të prodhuar nga amerikania “LOKHID MARTIN” për të patrulluar ujërat oqeanike për nëndetëse dhe kërcënime të tjera; ndërsa Franca përdor “Atlantik 2”, i prodhuar nga “DASAULT AVIEJSHËN” në vitet ‘80. /abcnews.al
Francë-Gjermani, projekt të përbashkët për kontrollin e ujërave territoriale
schedule21:45 - 6 Prill, 2018
schedule 21:45 - 6 Prill, 2018