Sulmi në Turqi, autori akuzonte drejtuesit se mbështesin Gylen

schedule10:37 - 6 Prill, 2018

schedule 10:37 - 6 Prill, 2018

Autori i sulmit me armë në një universitet në Turqi, ku u vranë 4 punonjës, akuzonte drejtuesit e këtij institucioni se mbështesnin imamin Fetullah Gylen. Ai njihej si person problematik.

Mediat turke kanë publikuar detaje të reja sa i përket sulmit me armë të ndodhur gjatë të enjtes në Universitetin Osmangazi në qytetin Eskisehir, ku u vranë 4 persona dhe 3 të tjerë mbetën të plagosur. Mësohet se autori Volkan Bayar, i punësuar në këtë institucion arsimor si asistent kërkimor, kishte për qëllim të vriste dekanin, por në vend të të tij qëlloi për vdekje zëvendësdekanin Mikail Yalcin, sekretarin e fakultetit Fatih Ozmutlu, profesorin Yasir Armagan dhe asistentin Sedrar Caglak. Bayar njihej nga stafi si njeri shumë problematik dhe i dhunshëm.

Gjithashtu është përgënjeshtruar lajmi se ai ishte shkarkuar pasi ishte mbështetës i imamit Fetullah Gylen, që konsiderohet nga Presidenti Erdogan si drejtues i një organizate terroriste. Rektori i Universitetit Osmangazi Hasan Gönen bëri me dije se Bayar ishte ende në mardhënie pune.

“Kemi qenë të paditur se mbështesim Gylen dhe jemi hetuar për këtë. Autori i sulmit nuk ishte pjesë e organizatës FETO, por akuzonte të tjerët se ishin pjesë e saj”, u shpreh ai.

Pedagogë të ndryshëm dhe madje rektori i këtij universiteti, ishte akuzuar shpeshherë nga 37-vjeçari se janë mbështetës të Gylen, dhe për këtë kishte pasur debate të forta. Ndërkohë, Bayar u arrestua menjëherë në vendngjarje dhe mbahet në paraburgim. Autoritetet ende nuk kanë publikuar arsyen e këtij sulmi, ndërsa hetimet po vazhdojnë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!