Byroja rrëzoi kërkesën e LSI për përjashtimin e Ramës nga seanca

schedule19:48 - 5 Prill, 2018

schedule 19:48 - 5 Prill, 2018

Mazhoranca në byronë e Kuvendit e ka quajtur të padrejtë kërkesën e LSI për përjashtimin e kryeministrit nga Kuvendi pas gjuhës së përdorur në seancën e fundit. Edi Paloka tha se justifikimet mbrojtëse ishin qesharake, ndërsa Vasilika Hysi deklaroi se fjalia e kryeministrit që nxiti këtë kërkesë të opozitës ishte poezi.

“Për më tepër kur fillojnë ato kërcënimet. Shiko se do ngrihen këta dhe do ngrihen ata. Kjo e ngritjes është “thirri, thirri të të ngrihet, ai i shkreti kokulur s’të përgjigjet dot. Është poezi që e di doktori. Pyeteni doktorin se e di mirë ai”.

Këto vargje mblodhën byronë parlamentare për të vendosur a duhet apo nuk duhet ndëshkuar kryeministri Edi Rama.  Kërkesën për ta përjashtuar 10 ditë nga seancat plenare e bëri një grup deputetësh të Lëvizjes socialiste për integrim.

Pas afro një ore debat me dyer të mbyllura,  opozita del e zhgënjyer.

Paloka: “Ky ishte rasti më skandaloz që një kryeministër quan organ gjenital popullin e tij. U thanë të gjitha absurditetet e mundshme, u quajt metaforë fjala që përdori kryeministri dhe si përfundim morën vendimin që kryeministri është i pafajshëm”.

Tushaj: Kryeministri nuk denjon të vijë në byro, sepse frika e tij është të ballafaqohet me argumentat e tij dhe pastaj pas ditësh kërkon falje.

 

Mazhoranca e ka rrëzuar pasi arriti në një përfundim.

Hysi: Ishte poezi. Byroja lexoi me vëmendje procesverbalin e mbledhjes dhe konstatoi se pretendimi i kolegëve të opozitës nuk qëndronte”.

 

Në të njëjtën ditë me këtë mbledhje deputetët e mazhorancës votuan në seancën plenare kodin e ri etik për sjelljen e deputetëve.

/abcnews.al