Duke komentuar mbledhjen e sotme të Komisionit të Jashtëm në PE, sekretari për Marrëdhëniet me Jashtë në këtë parti, Arben Kashahu thotë se dy nga euro-parlamentarët, anëtarë të AFET propozuan që Shqipërisë “t’i ndërpriten negociatat me BE” dhe “të ndalohet menjëherë ndihma financiare e BE”.
Ai thotë se në mbledhjen e sotme të Komisionit të Jashtëm të {E, Shqipëria u konsiderua shprehimisht si vendi “më i korruptuar” në Evropë.
Reagimi i plotë:
Në mbledhjen e sotme të Komisionit të Politikës së Jashtme në Parlamentin Evropian, në seancën e posaçme për Shqipërinë për herë të parë janë artikuluar pozicione drastike me tone të ashpra kritike në lidhje me raportet BE-Shqipëri.
Dy nga euro-parlamentarët, anëtarë të AFET propozuan që Shqipërisë “t’i ndërpriten negociatat me BE” dhe “të ndalohet menjëherë ndihma financiare e BE”. Europarlamentarë të tjerë e etiketuan Kryeministrin dhe qeverinë si “të ashpër me mediat dhe të lëmuar me kultivuesit dhe trafikantët e drogës”.
Përpjekjet dhe kokëfortësia e mazhorancës për të ndryshuar ligjin për mediat u konsiderua “e turpshme”, ndërsa ri-mbjellja e Shqipërisë me kanabis “e papranueshme”. Shqipëria u konsiderua shprehimisht si vendi “më i korruptuar” në Europë.
Mos-ndjekja penale e krimit elektoral dhe e politikanëve të mazhorancës të përfshirë në blerjen dhe manipulimin e votës dhe deformimit të vullnetit popullor është raportuar si zhgënjyese dhe është kërkuar të monitorohet me vëmendje të shtuar nga Komisioni Europian.
Shembja e Teatrit Kombëtar u dënua njëzëri nga europarlamentarët dhe u kërkua “të investigohet ligjshmëria e këtij veprimi të qeverisë”. Është detyrë kombëtare të shpëtohet procesi i integrimit! Kjo detyrë fillon me largimin e kësaj qeverie euroskeptike./abcnews.al