Roli i KQZ përplas Majkon me Gjiknurin,”Diaspora” nuk i ka ndryshimet e “Zgjedhores”, çuditet Rama

schedule18:11 - 22 Qershor, 2020

schedule 18:11 - 22 Qershor, 2020

Pasditen e sotme është mbajtur online mbledhja Këshillit të Diasporës, ku në fokus ishte votimi i emigrantëve.

Lidhur me këtë çështje, ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, deklaroi se “votimi është një e drejtë Kushtetuese për shtetasit tanë që jetojnë jashtë vendit, ndërsa tha prerë se ata “nuk mund të quhen emigrantë”.

Gjatë fjalës së tij, Majko shprehu mendim ndryshe nga ai i Kryetarit të Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknurin, ku theksoi se votimi i shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit nuk mund të udhëhiqet nga KQZ.

 “Maxhoranca ka vullnetin dhe besoj që në zgjedhjet e ardhshme do të marrin pjesë të gjithë shtetasit tanë që banojnë jashtë vendit. E drejta Kushtetuese e tyre është e jashtëzakonshme, nuk duhet parë që duhet bërë një kompromis në Komisione. E drejta Kushtetuese nuk ka nevojë për negociatë.

Edhe opozita jashtëparlamentare dhe ajo në parlament janë shprehur për votën e shtetasve tanë jashtë vendit. Ka kaluar një histori shumë e gjatë dhe ky është parlamenti i parë që ka krijuar Komisionin e Reformës Elektorale.

Ideja jonë nuk ishte një model alla shqiptarçe për votimin e shtetasve tanë jashtë vendit, pritëm, pritëm, pritëm, nga Komisioni. Krizë pas krizë e deri sa opozita u largua nga parlamenti, kjo shkaktoi vonesë të jashtëzakonshme, atëherë ne krijuam një grup dhe ja çuam Komisonit të Reformës që në vitin 2019. Kemi pritur të diskutohej.

Në qoftë se kemi pasur një model pak ndarës me z.Gjiknuri, për detaje teknik, ka rëndësi të vendosën detaje dispozitash ligjore sa i përket votës së emigrantëve. Së pari nuk janë 10%, së dyti, duhet ndarë, do ketë listë të veçantë për votimin brenda vendit dhe listë të veçantë për votimin jashtë vendit. Vota e shtetasve tanë jashtë vendit është shumë e rëndësishëm që t’ja lemë në dorë KQZ.

KQZ nuk ka të drejtë të diskutojë për votën e shtetasve tanë jashtë vendit. Është një presion i jashtëzakonshëm, detajet teknike ne mund t’i diskutojmë, por dëshiroj të nënvizoj se ne i kemi qëndruar nga pas kësaj historie, por interesat politike kanë qenë kaq të komplikuara dhe afatshkurtra sa nuk kanë krijuar hapësire për vendimmarrje të tilla.

Në zgjedhjet e ardhshëm shtetasit tanë jashtë vendit të votojnë dhe është një reformë jashtëzakonisht e rëndësishme. Jemi të vonuar, por nuk kemi ecur me kambana për të folur çdo ditë sepse janë disa gjëra për të cilat nuk flitet, por bëhet ose nuk bëhet dhe kjo do të bëhet”, Majko.

Ndërsa që në fillim të mbledhjes online bashkëkryetari i Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri, u shpreh se në Kodin e ri Zgjedhor është sanksionuar edhe vota e emigrantëve.

Gjiknuri sqaroi se në mënyrë që një emigrant të gjenerohet në listën e zgjedhësve, duhet të regjistrohet në regjistrin e gjendjes civile, e më pas nëpërmjet një akti të KQZ, do ketë mundësi që votën ta hedhë nëpërmjet postës, gjë për të cilën ministri Majko nuk është dakord.

“Nuk është ideja të vendosësh një koncept, por si ta zbatosh atë. Në Kod u sanksionua dhe do jetë KQZ-ja që do udhëheq procesin dhe do të merret me votën e emigrantëve dhe për të bërë aktet nënligjore.

Ne nuk ishim në gjendje të detajonim se si të funksionojë dërgimi i votës me postë. Pra, çdo emigrant i regjistruar në një regjistër, automatikisht do të gjenerohet në listën e zgjedhësve”, tha Gjiknuri.

Ndërsa përfaqësues të Këshillit të Diasporës, konkretisht Brikena Muharremi, i tha kryeministrit Rama se ky Këshill nuk ka marrë asnjëherë amendamentet që janë bërë për Reformën Zgjedhore dhe nuk e dinë çfarë  ndryshimesh kanë parashikuar palët politike.

“Mendimi im është që Shqipëria me nisjen e votës së diasporës të nisë një rrugë të re. I bashkohem komenteve të kolegëve të mi. Falënderoj z. Majko për punën që ka bërë deri tani me diasporën. Kërkesa kryesore jonë është që të merret parasysh vota e diasporës. Pyetja tjetër që kam është për kodin zgjedhor.

Ne nuk i kemi parë këto amendamente dhe nuk na janë dërguar. Do ishte mirë që z. Gjiknuri të na i niste dhe ne të shihnim çfarë ka ndryshuar. Sa i përket pjesëmarrjes jam e gatshme që të jap kontributin personal”, tha ajo.

Kryeminisri Rama u shpreh se i duket çudi që Këshilli i Diasporës nuk e disponon draftin për reformën zgjedhore megjithatë kryeministri u shpreh se drafti do ju dërgohet menjëherë edhe pse nuk është i dakordësuar nga palët 100 %.

“Ndihma juaj është që të merrni pjesë në monitorimin  e mekanizmit. Ju mund të jepni një ndihmë konkrete për të siguruar një mbikëqyrje dhe një garanci për efektshmërinë e procesit. Nuk është e vështirë që të gjenden persona të zgjedhur nga ju që mund ta bëjnë këtë gjë.

Deri në momentin e konsolidimit të këtij mekanizmi që është ende duke punuar do ishte e mirëseardhur , më duket çudi që nuk e keni draftin por do ju vij menjëherë drafti aktual, por kini parasysh që akoma nuk është një draft i dakordësuar 100 % nga të gjithë palët. Ju mund ta dispononi patjetër, kurse për pjesën e votimit është shumë teknike për mënyrën se si do bëhet”, u shpreh ndër të tjera Kryeministri./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!