Reali insiston të luajë në fushë neutrale me Cityn, reagon Pep Guardiola

schedule10:57 - 22 Qershor, 2020

schedule 10:57 - 22 Qershor, 2020

Manchester City-Real Madrid ishte një finale e parakohshme dhe të dy skuadrat do të bëjnë të pamundurën për t’u kualifikuar në çerekfinalet e Champions League. Shumë më afër kësaj arritje është skuadra e Pep Guardiolës (fitoi 1-2 ndeshjen e parë në Madrid), por “Los Blancos” mbeten të frikshëm.

Sfida e kthimit do të luhet më datë 7 gusht. Klubi spanjoll i ka bërë kërkesë UEFA-s që të zhvillohet në një fushë neutrale, kjo prej frikës së koronavirusit. Nëse miratohet, dueli i zjarrtë do të zhvendoset me shumë siguri në Lisbonë të Portugalisë.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Pep Guardiolës rreth frikës së Realit për të luajtur në “Etihad Stadium”. “Do të donim të luanim në stadiumin tonë, por do të pranojmë vendimin e UEFA-s.

Nëse ata vendosin për të luajtur në një shtet tjetër për sigurinë dhe shëndetin tonë dhe të Realit, do të përshtatemi me vendimin e tyre. Gjendja e skuadrës? Nuk hasëm probleme kundër Arsenalit, lojtarët ishin të freskët përpara ndeshjes.

Por, tani që kemi ndeshje çdo tre ditë do të kemi probleme. Nuk do të bëj ndryshime të mëdha, por do t’i shfrytëzoj pesë zëvendësimet gjatë një ndeshje“, deklaron trajneri spanjoll i Manchester City. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!