Gjyqtarja e Kushtetueses, Vitore Tusha, kaloi me sukses procesin e vettingut. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shpalli të enjten vendimin e përfundimit të proesit të rivlerësimit kalimtar ndaj saj, sipas të cilit, Tusha mund të vijojë ushtrimin e funksionit të gjyqtares.
Përmes këtij vendimi të Komisionit të Pavarur i Kualifikimit, Vitore Tusha u certifikua si gjyqtare e përshtatshme për të qëndruar në sistemin gjyqësor. Anëtarja e Gjykatës Kushtetueses shënoi kështu rastin e parë të një gjyqtari që kalon me sukses procesin e vettingut.
Vendimi u shpall nga një trupë gjykuese e përbërë nga Alma Feskaj Valbona Sanxhaktari dhe Xhensila Pine gati 24 orë pasi për Tushën u zhvillua seanca dëgjimore publike.
Gjatë kësaj seance, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit bëri me dije se pas administrimit të raportit të paraqitur nga ana e ILDKPKI-së, rezultonte se burimet financiare të gjyqtares justifikonin pasurinë e saj, se nuk kishte deklarim të rremë pasurie dhe as konflikt të interesit.
Figura e gjyqtares u vlerësua e pastër nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Kualifikuar, sipas të cilës, Tusha nuk kishte kontakte me persona të dyshimtë.
Anëtarja e Kushtetueses, të cilës i ka përfunduar mandati në këtë gjykatë, mori vlerësim pozitiv edhe sa i përket aftësisë profesionale.
Tusha ishte gjyqtarja e dytë që u thirr në seancë dëgjimorë për llogari të procesit të vettingut. I pari ishte ish-kolegu i saj i Kushtetueses, Fatos Lulo, për të cilin KPK vendosi shkarkim nga detyra./abcnews.al