Rrugët në Peshkopi të degraduara, banorët: Ka 30 vite që nuk investohet  

schedule13:40 - 21 Qershor, 2020

schedule 13:40 - 21 Qershor, 2020

Banorët e Peshkopisë kanë humbur shpresat se rrugët hyrëse dhe dalëse të qytetit do të rikonstruktohen ndonjëherë. Siç thonë ata ka mbi 30 vjet që nuk është vënë dorë.

Ndërhyrje të pjesshme, por jo afatgjata janë kryer vetëm në prag fushatash elektorale. Është hedhur vetëm zhavor për të mbuluar gropat të cilat me kalimin e kohës hapen sërish.

Ky është nga akset më problematikë që banorët e njohin si rruga e ish-SMT-së. Pamjet s’kanë nevojë për shumë koment.

“Që në kohë të Enver Hoxhës është kjo rrugë kështu”, është shprehur një nga qytetarët.

Një tjetër qytetar thekson se ato paguajnë taksat por asgjë, autoritetet sipas tyre hedhin zhavor por sa bie shi dalin sërish.

Problem është boll makinat largohen nga gropat që të mos shtypin njerëzit”, ka thënë një tjetër banor.

Vetë banorët ndërhyjnë herëa herës dhe mbushin gropat në mënyrë primitive.

“Nuk kemi ku të ankohemi, kjo rrugë tek SMT kështu e mbaj mend unë. Gjithë jetën e kemi mbushur me dhe”, ka thënë një banor.

Situata është e ngjashme edhe në rrugët e tjera të Peshkopisë. Kjo është një nga rrugët më të frekuentuara jo vetëm nga banorët por dhe nga qytetarë të zonave të tjera të vendit, pasi të çon në Llixhat e famshme të këtij qyteti.

Është vetëm 1 km e gjatë dhe totalisht e degraduar. Pushteti vendor mbledh dhe të ardhura nga Llixhat që çdo vit frekuentohen nga rreth 25 mijë persona, ndërsa për rrugën me sa duket ka mbyllur sytë.

I vetmi investim i kryer vitet e fundit në infrastrukturë është qëndra e qytetit që përfitoi prej projektit të Rilindjes, i cili përfundoi në fund të vitit 2016. 2.5 milion euro, u përdorën për të rivitalizuar bulevardin kryesor dhe hapësirat pranë Pallatit të Kulturës.

Po dhe në atë kohë banorët u ankuan për cilësinë e punimeve, pasi asfalti u zëvendësua nga pllakat e gurit që në dimër për shkak të ngricave ju shkaktojnë probleme në qarkullim. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!