Hellas Verona e rinisi Serie A me fitore dhe tifozët po ëndërrojnë kualifikimin në Europa League. 2-1 fitoi në shtëpi skuadra e Marash Kumbullës dhe Amir Rrahmanit kundër Cagliarit. Vendasit luajtën me një lojtar më pak prej minutës së 35-të (Borini u largua me të kuqe), por rezistuan dhe korrën një fitore shumë të rëndësishme.
Dy mbrojtësit shqiptarë u aktivizuan gjatë gjithë ndeshjes, shkëlqyen sërish dhe ndikuan në thyerjen e sulmeve të miqve sardë. Marash Kumbulla ka folur pas takimit për DAZN, aty ku vlerësoi ndeshjen e skuadrës dhe shpjegoi se pse nuk i bën përshtypje interesimi i klubeve të mëdha italiane.
“Kishim një dëshirë të madhe për t’u kthyer në fushë. Ishte një fitore e bukur, të gjithë luajtëm mirë, disa prej nesh shkëlqyen. Nuk jemi akoma në 100%, por stërvitjet po na ndihmojnë të kthehemi gradualisht ata që ishim në muajin mars.
“Ftohtësia ime në lidhje me interesimin e Juventusit dhe Interit? Kështu jam unë. Le të themi se kjo është meritë e atyre që më rethojnë: shokëve të skuadrës, trajnerit dhe klubit, të cilët më kanë ndihmuar shumë“, deklaron 20-vjeçari i kombëtares shqiptare. /abcnews.al