Stefano Sensit nuk po i ndahen dëmtimet. Mesfushori italian, një nga goditjet e Interi në merkaton e verës së kaluar, është frenuar sërish. Një lajm i keq për Antonio Conten dy ditë përpara ndeshjes shtëpiake kundër Sampdorias (e diel, 21:45).
24-vjeçari e nisi mirë sezonin me zikaltrit dhe paraqitjet pozitive ndikuan që të tërhiqte vëmendjen e Barcelonës. Më pas erdhën dëmtimet në seri. Sapo rikuperohej, detyrohet të ndalej sërish. Rasti i fundit është një dëmtim muskulor.
Lojtari ka ndjerë shqetësime në kofshën e djathtë dhe d t’i nënshtrohet testeve mjekësorë në orët e ardhshme, për të mësuar shkallën e lëndimit dhe kohën e rikuperimit. Ky është dëmtimi i pestë në këtë sezon për Sensin, i cili numëron 18 ndeshje dhe 3 gola të shënuar me Interin. /abcnews.al