Diego Godin ishte një nga goditjet e Interit në merkaton e verës së kaluar. Mbrojtësi nga Uruguaji, u largua pas 9 sezoneve nga Atletico Madrid dhe klubi italian përfitoi për ta afruar si lojtar të lirë.
Aventura italiane nisi mirë në fillim për 34-vjeçarin. Më pas rendimenti ra disi dhe përshtatja me skemën me tre mbrojtës të Antonio Contes u vështirësua. Në media filloi të përflitej për një largim të tij.
Godin, i cili ka kontratë deri në vitin 2022 me Interin, i ka dhënë fund dilemave rreth së ardhmes në një prononcim për Corriere dello Sport. “Zgjodha projektin e Interit dhe ndihem mirë prej momentit që kam ardhur këtu, si me klubin ashtu edhe me tifozët.
Dua të ndihmoj skuadrën për të fituar trofe dhe kam ndërmend të respektoj kontratën e nënshkruar. Nuk më ka shkuar ndërmend të largohem nga Interi. Kam lexuar që dua të largohem nga Milano, jam befasuar nga këto lajme“, deklaron mbrojtësi i njohur uruguaian. /abcnews.al