Prishtina zyrtare shprehet kundër tarifës së Rrugës së Kombit. Ministri kosovar i Infrastrukturës, Pal Lekaj, në takim me ambasadorin shqiptar në Prishtinë, Qemal Minxhozi, tha se kjo tarifë është shumë e lartë, ndërsa pati kritika edhe për mënyrën e vendosjes së saj nga qeveria shqiptare.
Ministri i Infrastrukturës së Kosovës, Pal Lekaj, është takuar me ambasadorin e Shqipërisë në Prishtinë, Qemal Minxhozi, me të cilin kanë diskutuar për taksën në “Rrugën e Kombit”. Lekaj ritheksoi se taksa është e lartë dhe se institucionet kosovare nuk pajtohen me këtë çmim.
Në një postim në profiling e tij në Facebook, ministri kosovar sqaron se në takim me ambasadorin Qemal Minxhozi u diskutua për zhvillimet e fundit në dy vendet, me theks të veçantë për çështjen e taksës rrugore. Lekaj tha Prishtina zyrtare është kundër çmimit dhe mënyrës se si është marrë ky vendim për njërën nga arteriet kryesore të lidhjes ndërshqiptare, që është “Rruga e Kombit”.
Gjithashtu në takim është diskutuar dhe për letrën zyrtare me të cilën pala kosovare i është drejtuar Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjetikës, Damian Gjiknuri dhe për mungesën e përgjigjes në këtë letër. Në fund të takimit, Lekaj dhe Minxhozi ranë dakord që në të ardhmen çdo hap i kësaj matyre të ndërmerret në dakordësi të plotë. Kjo pasi, sipas ministrit Lekaj, Shqipërisë dhe Kosovës si dy vende vëllazërore i duhen marrëdhënie me influencë pozitive për zhvillimin e gjithanshëm./abcnews.al