Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, njoftoi se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë hedhur një tjetër hap drejt lehtësimit të lëvizjes së qytetarëve dhe forcimit të bashkëpunimit mes dy vendeve.
Gjatë një aktiviteti të zhvilluar në Dibër, ministrat e Punëve të Brendshme të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut nënshkruan marrëveshjen për zbatimin e sistemit “One Stop Shop” në pikat kufitare. Ky sistem synon që kontrolli kufitar të kryhet me një ndalesë të vetme, duke reduktuar kohën e pritjes dhe procedurat burokratike.
Sipas ministrit Lamallari, marrëveshja do ta bëjë kalimin kufitar më të shpejtë, më efikas dhe më të sigurt, duke krijuar njëkohësisht më shumë lehtësi për qytetarët, bizneset dhe sektorin e turizmit.
Autoritetet vlerësojnë se zbatimi i sistemit me një ndalesë do të ndikojë në rritjen e bashkëpunimit ndërkufitar dhe në përmirësimin e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.



