Ekipi i mjekëve të Qendrës “Stroke Unit” në Spitalin Amerikan 3 ka realizuar një intervent të rrallë në tru. Neuroradiologët intervencionues, Eguen Enesi dhe Arben Rroji, kryen me sukses ndërhyrjen në një pacient, i cili kishte pësuar hemoragji cerebrale si pasojë e çarjes së një arterie në kokë.
Mjeku Klodian Çaçi pjesë e ekipit të radiologjisë intervencionuese shpjegon se ndërhyrja në tru ishte rast i rrallë pasi është kryer nëpërmjet enëve të gjakut.
Aktualisht pacienti 71 vjeçar nga Kosova është në gjendje të stabilizuar shëndetësore.
“Kemi të bëjmë me një ndërhyrje, që për herë të parë e realizojmë pranë spitalit Amerikan 3, por edhe në Shqipëri është hera e parë që realizohet. Është një ndërhyrje që quhet embolizim i një aneurizme, por krahas embolizimit është vendosur edhe një stenti si “Flow Diverter” që do të thotë për të rregulluar shtratin vaskular.
Domethënë përdorimi i përbashkët i të dyja teknikave embolizimi i aneurizmës me cokle, që do të thotë me spirale platini, mbyllet aneurizma dhe vendosja e një stenti për të bërë një plastik të shtratit vaskular, kombinimi i të dyjave është hera e parë që përdoret tek ne”, sqaroi mjeku.
Mjeku kardiolog Indrit Temali sqaron sa i rëndësishme është ekzaminimi paraprak i pacientëve dhe trajtimi i këtyre rasteve .
“Një gjë që duhet theksuar është roli i kardiologut në rastet që vijnë me insulte celebrale. Në raste të tilla kardiologu është themelor dhe pjesë përbërëse e ekipit që investigon. Ne e shohim për aritmi, që janë shkaku i cili shkakton ishemi në kokë.
Ne gjithashtu e shohim për aritmi të mundshme që janë shkaqe të ishemisë në kokë dhe kryejmë një eko specifike që zbulon defektet e lindura ose shkaqet infektive, që bëhen shkak për shkëputjen e copëza nga zemra që shkojnë në tru e bllokojnë enët e trurit. Qendra e Stroke në Spitalin Amerikan po bën revolucion në ndërhyrjet e kokës”, shpjegoi më tej mjeku Klodian Çaçi.
Qendra Stroke Unit në Spitalin Amerikan 3 ofron një trajtim të specializuar për rastet e të prekurve nga Stroke ose siç njihet ishemi. Në këtë qendër, vlerësim maksimal merr koha, si faktori kryesor i shpëtimit të jetëve nga goditjet në tru./abcnews.al