Një ditë jo e mirë për sa i përket koronavirusit në Shqipëri. Që prej 1 qershorit është vënë re një rritje të numrit të rasteve me Covid-19.
Në javën që lamë pas dhe sot vihet re rritje progresive e numrit gjë që nuk ka ndodhur as në ditët e para të evidentimit të koronavirusit në Shqipëri.
Institucionet e shëndetësisë që prej 1 qershorit, kanë arritur të zbulojnë 535 raste pozitive me koronavirus.
Ndërkohë ditën e sotme Ministria e Shëndetësisë raportoi për 571 persona aktiv, që nënkuptojnë se numri më i madh i personave aktiv në Shqipëri është zbuluar ditët e fundit pavarësisht numrit të të shëruarve.
Siç raporton gazetarja Ajgena Korbi për abcnews.al, mjekët janë të shqetësuar për numrin e personave që aktualisht kërkojnë ndihmë të specializuar në spitalin Infektiv.
Nëse do të krahasojmë shifrat, janë 50 qytetarë që kanë shkuar në ambientet e spitalit, për të marrë ndihmën e mjekëve infeksionistë.
Sipas ekspertëve, është një numër i qëndrueshëm, por disa prej tyre ndodhen në gjendje të rënduar shëndetësore.
Ekspertët e shëndetësisë kanë pranuar se Tirana është vatra kryesore, dhe më e madhe e koronavirusit në Shqipëri, ndërsa edhe shumë qytete që ishin cilësuar si zona të gjelbërta, janë rikthyer në hartën e Covid-it.
Ata kanë sqaruar se kjo rritje është për shkak se qarkullimi dhe kontakti është më i shpeshtë mes qytetarëve.
Shqetësues është fakti që virusi po përhapet në institucione, në biznese dhe në spitale.
Sipas informacioneve, në QSUT është shtuar edhe një shërbim tjetër me persona të prekur nga Covid.
Bëhet fjalë për “Spitalin Francez” ku janë konfirmuar me koronavirus, 4 persona nga personeli shëndetësor, të infektuar gjatë 24 orëve të fundit, ndërsa nuk dihet si janë infektuar ata.
Janë konfirmuar gjithashtu me Covid-19, 2 specializante të cilat merrnin mësime dhe shërbenin në QSUT.
Ministria e Shëndetësisë raportoi ditën e sotme për 82 të infektuar me koronavirus, përgjatë 24 orëve./abcnews.al