Teuta-Tirana ishte një ndeshje që kaloi pa shumë polemika, edhe pse ishte një sfidë shumë delikate. Albano Janku, specialist i gjykimit, është i ftuar në Pressing, në ABC News, aty ku bëri moviolën e episodeve më të përfolura në tre sfida: Teuta-Tirana, Vllaznia-Bylis dhe Skënderbeu-Laçi.
RASTI I KOUROS – “Teuta-Tirana ishte ndeshja e javës. Lojtari durrsak është nisur për lojë të rrezikshme, por e ka tërhequr këmbën. Duhet të kishim faull, por jo karton të verdhë.
RASTI I HOXHËS – “Nuk duket absolutisht që topi ka prekur dorën, ka rënë në kofshën e tij. Edhe dora e tij ka qenë në pozicion natyral dhe nuk kemi të bëjmë me shkelje. Dora është në pozicion natyral, topi ka rënë në kofshën e tij”.
Vllaznia-Bylis ishte ndeshja e dytë në lupën e Albano Jankut. Moviola e kësaj sfide, nisi me penalltinë e Zogajt, që në minutën e 13-të.
PENALLTIA E ZOGAJ – “Momenti i parë është, minuta e 13-të, penalltia për Bylis. Zogaj, i cili është kthyer në mbrojtje, shihet me dorën e hapur dhe në pozicion jo natyral. E bën trupin pengesë për topin dhe me të drejtë Xhaja ka akorduar 11-metërsh”.
PËRPLASJA E HADROJ – “Ishte një përplasje e frikshme, dua t’i uroj shërim sa më të shpejtë lojtarit të Bylisit dhe shpresoj ta shohim sa më shpejt në fushat e blerta”.
GOLI I ANULUAR – “Duke parë pamjet që kemi, nuk më duket se kemi faull të Ndrecës. Është vërshëllyer më shpejt, nuk më duket se është faull. Nuk shikoj faull. Me pamjet që shohim, nuk më duket se kemi shkelje.
Tjetër ndeshje e analizuar, ishte ajo mes Skënderbeut dhe Laçit. Moviola e Jankut, nisi me penalltinë e fituar nga Greca, që në minutën e gjashtë.
PENALLTIA E GRECËS – “Greca është penguar brenda zonës dhe me të drejtë, është penallti. Është një kohë më shpejt Grezda, portieri ndërhyn me vonesë. Me të drejtë është faull”, u shpreh Janku./abcnews.al