Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka publikuar protokollin që do duhet të zbatohet nëse do fluturoni jashtë vendit pas hapjes së kufijve ajrorë.
Protokolli thotë se në aeroport duhet të qëndroni 1,5 metra në distancë nga njëri tjetri. Përdorimi i maskës është i detyrueshëm dhe duhet të ndërrohet çdo katër orë.
Pasagjerëve që nuk zbatojnë masat parandaluese nuk do t’u jepet akses në ndërtesën e terminalit të aeroportit, në kabinë ose do të zbriten edhe nga avioni.
Ndërsa ata që do të shfaqin simptoma nuk do të lejohen të udhëtojnë. Masa të rrepta parashikohet edhe për ekuipazhin e avionit.
Pastrimi dhe dezinfektimi do të kryhet mundësisht me kodim ngjyre për korridoret, tualetet, kuzhinën dhe kabinën e pilotit.
Protokolli i plotë
Protokollet e operimit në transportin ajror, transportin rrugor dhe transportin detar, mundësojnë vendosjen e masave proporcionale dhe efektive, me qëllim garantimin e sigurisë dhe mbrojtjen e shëndetit të personelit dhe pasagjerëve, duke zvogëluar rrezikun e transmetimit SARSCoV2 sa më shumë që të jetë e mundur.
A.MENAXHIMI I OPERIMEVE NË TRANSPORTIN AJROR
-Autoriteti i Aviacionit Civil do të mbikëqyrë zbatimin e këtij protokolli nga Enti Menaxhues i Aeroportit dhe operatorët ajrorë që fluturojnë për dhe nga Shqipëria, si dhe do të koordinojë me Institutin e Shëndetit Publik dhe Inspektoratin Shtetëror Shëndetësor për të lehtësuar zbatimin.
-Enti Menaxhues i Aeroportit dhe operatorët ajrorë do të marrin masa për zbatimin e parashikimeve të këtij protokolli dhe do të koordinojnë me Autoritetin e Aviacionit Civil si Autoriteti Kombëtar Mbikëqyrës për masat në fjalë, me qëllim të arritjes së një mitigimi optimal të riskut. Enti Menaxhues i Aeroportit dhe operatorët ajrorë do të monitorojnë efektivitetin e masave të marra dhe do të mbledhin të dhëna, të cilat do t’ia transmetojnë Autoritetit të Aviacionit Civil mbi baza javore.
-Materiale promovuese të sigurisë së shëndetit duhet të jenë gjerësisht të disponueshme në aeroport (hyrje, ekranet informuese, portat etj.). Materialet duhet të jenë të disponueshme në anglisht dhe në shqip. Këto materiale duhet të jenë të disponueshme edhe në kabinën e fluturimit, mundësisht me audio dhe me video dhe kur nuk është e mundur me fletëpalosje në xhepat e ndenjësve të avionit (aneksi 2 i këtij protokolli).
-Enti Menaxhues i Aeroportit, në përputhje me Planin e tij të Emergjencave, duhet të caktojë një koordinator për të garantuar zbatim të masave parandaluese në mënyrë uniforme nga të gjitha subjektet që ofrojnë shërbime në aeroport.
MENAXHIMI I PASAGJERËVE NË ÇDO KOHË:
Pasagjerët duhet të mbajnë distancën prej 1.5 metër në aeroport. Enti Menaxhues i Aeroportit dhe operatorët ajrorë duhet të marrin masa për paralajmërimin e pasagjerëve për këtë rregull dhe vendosjen ku është e mundur të shenjave dalluese të distancimit fizik.
Pasagjerët dhe personat brenda aeroportit dhe avionëve duhet të mbajnë maska mjekësore të thjeshta, nga momenti që hyjnë në terminal në zonën e nisjeve deri sa dalin nga ndërtesa e terminalit, në aeroportin e destinacionit të tyre. Përjashtim nga kjo rregull mund të bëhet kur nevojitet gjatë kontrollit të sigurisë në aviacion dhe atij të kufirit, për fëmijët nën 6 vjeç dhe personat që kanë arsye shëndetësore të dokumentuara
Maskat duhet të ndërrohen çdo 4 orë, nëse nuk këshillohet ndryshe nga prodhuesi, gjithashtu edhe kur lagen apo dëmtohen. Qese me një përdorim për hedhjen e maskave të përdorura duhet të jenë disponibël në bord të avionit dhe gjatë zbritjes.
Enti Menaxhues i Aeroportit nuk duhet të vendosë në aeroport kosha mbetjesh me prekje.
Procedura për përdorimin e maskave, heqjen e tyre dhe nxjerrjen jashtë përdorimit në mënyrën e duhur të maskave të përdorura, duhet të paraqitet nga ana Entit Menaxhues të Aeroportit dhe operatorit ajror në materialet promovuese të sigurisë së shëndetit.
5.1 Përdorimi i maskave të fytyrës është një masë plotësuese, ndërkohë që do të vijojnë të zbatohen masat parandaluese të distancimit social, etikës respiratore, prekjes së fytyrës dhe higjienës së duarve.
Enti Menaxhues i Aeroportit, operatorët ajrorë dhe ofruesit e shërbimeve duhet të ofrojnë setin standard në këtë rast të Mjeteve të Mbrojtjes Personale (MMP), për anëtarët e stafeve të tyre dhe të trajnojnë stafin për përdorimin përkatës.
Stafi që vepron me pasagjerët drejtpërdrejt duhet të veshë maskën mjekësore të thjeshte ose prej cope, doreza dhe uniformë; uniformat duhet të ndërrohen çdo ditë dhe kur nuk mund të ndërrohen çdo ditë, do të përdoren kostume mbrojtëse. Agjentët e sigurisë që bëjnë kontroll fizik duhet të vendosin mbrojtëse xhami (plexiglass) në fytyrë krahas maskave.
Stafi që ndërvepron me pasagjerët në sportel, nëpërmjet një mbrojtësi të fortë ndarës (plexiglass) nuk është i detyruar të veshë MMP gjatë gjithë kohës. Këto struktura ndarëse duhet të kenë hapësirën e nevojshme të hapur për dorëzim të dokumenteve dhe pasagjerët, përveçse kur dorëzojnë dokumentet ose bagazhin, duhet të mbajnë distancë nga sporteli. Kjo duhet të udhëzohet nga Enti Menaxhues i Aeroportit, me shënime specifike në dysheme, të cilat do të zgjaten në të gjithë radhën, për të mundësuar mbajtjen e distancës fizike (prej 1,5 m).
Pasagjerët do të udhëzohen rregullisht për zbatimin e masave parandaluese nëpërmjet mesazheve vizuale dhe audio, si dhe me mjete të tjera, në aeroport dhe në bord të avionit. Pasagjerët duhet të udhëzohen nga Enti Menaxhues i Aeroportit dhe operatorët ajrorë edhe për pasojat e moszbatimit të masave parandaluese.
Pasagjerët që nuk zbatojnë masat parandaluese:
a) Nuk do t’u jepet akses në ndërtesën e terminalit të aeroportit, në kabinë ose do të zbriten nga avioni, në rastet kur ngjarja ndodh përpara se të mbyllen dyert e avionit dhe do të largohen nga aeroporti nga autoritetet e rendit publik. Refuzimi nga ana e pasagjerit para nisjes së fluturimit, për të zbatuar masat mbrojtëse parandaluese në fuqi do të konsiderohet rast i justifikuar për moslejimin e vazhdimit të fluturimit për pasagjerin, që me gjithë paralajmërimet e përsëritura nuk pranon t’i zbatojë ato.
b) Koordinatori i caktuar nga Enti Menaxhues i Aeroportit, sipas këtij protokolli, sapo të sinjalizohet për një rast të moszbatimit të masave parandaluese do të njoftojë autoritetet kompetente për rendin publik në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës.
c) Nëse ngjarja ndodh gjatë fluturimit, do të zbatohen procedurat e trajtimit të pasagjerëve të parregullt dhe masa të mëtejshme për vënien në rrezik të sigurisë së operimit dhe sigurisë së shëndetit të pasagjerëve të tjerë dhe anëtarëve të ekuipazhit mund të ndërmerren nga autoritete lokale në aeroportin e destinacionit, sipas kërkesave kombëtare përkatëse.
PËRPARA MBËRRITJES NË AEROPORT
Pasagjerët që shfaqin simptoma të COVID19 nuk do të lejohen të udhëtojnë nëpërmjet ajrit.
Operatorët ajrorë në bashkëpunim me Entin Menaxhues të Aeroportit duhet të informojnë pasagjerët e ardhshëm nëpërmjet masave promovuese, për kufizimin e udhëtimit për pasagjerët që mund të kenë simptomat e COVID19, përpara mbërritjes në aeroportin e tyre të nisjes. Masat promovuese duhet të përfshijnë edhe simptomat për t’u konsideruar.
Pasagjerët në aeroport, që identifikohen simptomatik nga autoritetet e shëndetit publik, mund të mos lejohen të vazhdojnë udhëtimin. Operatorët duhet të kujtojnë herë pas here pasagjerët mbi këtë rregull.
Operatorët ajrorë dhe të aeroportit duhet të informojnë pasagjerët për detyrimin për veshjen e maskës mbrojtëse në aeroport dhe në avion, përveçse kur specifikohet ndryshe, në rast të kontrolleve të sigurisë dhe kufirit. Gjithashtu, ata duhet të informojnë pasagjerët për kohëzgjatjen e pritshme të realizimit të masave parandaluese, përnjë llogaritje të mbërritjes së tyre në aeroport në kohë. Koha që pasagjerët duhet të kalojnë në aeroport duhet të jetë sa më e shkurtër.
Aksesi në terminalin e aeroportit lejohet vetëm për pasagjerët, anëtarët e ekuipazhit dhe stafin e aeroportit. Shoqëruesve duhet t’i jepet akses vetëm në rrethana të veçanta (kur shoqërojnë minoren apo personat me aftësi të kufizuara etj.).
Pasagjerët duhet të informohen nga operatori ajror dhe i aeroportit përpara fluturimit mbi faktin se aksesi në terminal lejohet vetëm për pasagjerët, me përjashtim të rasteve të përmendura me sipër.
Përpara mbërritjes në aeroport, jo më afër se 24 orë përpara fluturimit, pasagjerët duhet të njihen me informacionin mbi simptomat e COVID-19 dhe risqet e kontakteve të mundshme me rastet e COVID-19 dhe duhet të firmosin (njihet edhe pranimi elektronikisht) njohjen e këtij informacioni, sipas deklaratës bashkëlidhur këtij protokolli (aneksi 1).
Operatorët e avionit duhet të bëjnë një deklaratë të ngjashme për ekuipazhin nën programin e tyre monitorues. Në rast dyshimi për simptoma apo çështje të lidhura me shëndetin, anëtari i ekuipazhit do të lëvizet menjëherë nga detyrat e fluturimit, pa shkaktuar presion apo frikë për masa ndëshkuese.
MENAXHIMI I PASAGJERËVE NË AEROPORTIN E NISJES PASTRIMI DHE DEZINFEKTIMI
Për të zvogëluar rrezikun e rënies në kontakt të pasagjerëve dhe të punonjësve me virusin COVID-19 gjatë qëndrimit në aeroport, aeroporti duhet të sigurojë higjienizimin dhe pastrimin, disa herë në ditë, të zonave të brendshme të aeroportit, me vëmendje veçanërisht në pikat ku përqendrimi i pasagjerëve është më i madh, siç janë, p.sh.: sportelet e chek-in-it, kontrollet e sigurisë, portat e imbarkimit, sallat e kthimit të bagazheve, tualetet, duke përfshirë sistemet e kondicionimit, filtrat e ajrit, për të cilët duhet të rritet frekuenca e ndërrimit. Duhet të sigurohet, gjithashtu, edhe higjienizimi dhe pastrimi i zonave të jashtme tokësore, me referencë të veçantë për “kthesat / oborrin/sheshin e jashtëm”, në pjesën e përparme të terminalit.
Higjienizimi dhe pastrimi duhet të bëhen duke përdorur personelin e caktuar dhe të trajnuar dhe produkte të përshtatshme, bazuar në udhëzimet e dhëna nga autoritetet shëndetësore për të garantuar efektivitetin e ndërhyrjeve dhe duke marrë parasysh nevojën për të mos dëmtuar sipërfaqet ose sistemet e aeroportit dhe mjedisin.
Enti Menaxhues i Aeroportit duhet të caktojë procedura për të garantuar që pastrimi dhe dezinfektimi kryhet në mënyrë të vazhdueshme.
Nënkontraktorët dhe përdoruesit e hapësirave dhe të zyrave duhet të garantojnë, duke e vërtetuar që aplikojnë masat për higjienizimin dhe pastrimin e hapësirave dhe të sipërfaqeve, sipas mënyrave të njëjta të përshkruara më sipër.
Për një menaxhim efektiv të rrezikut të infektimit, ndërhyrjet e higjienizimit rekomandohen në të gjitha zonat e terminalit (p.sh.: zyrat, hapësirat operative, hapësirat tregtare) dhe automjetet e aeroportit të përdorura nga operatorët dhe pasagjerët.
Me qëllim të përmirësimit të cilësisë së ajrit dhe eliminimit të shpejtë të grimcave më të lehta të çliruara në ajër nga njerëzit dhe që bien në tokë me shpejtësi më të reduktuar, Enti Menaxhues i Aeroportit, përpara rihapjes dhe gjatë funksionimit, duhet të bëjë kontrollet e duhura të sistemeve të ajrosjes: verifikimin e prurjeve të ajrit, ndërrimin e ajrit sipas numrit të njerëzve, matjen e cilësisë së ajrit. Më pas duhet të parashikohet, sa më shpejt që të jetë e mundur, verifikimi i përmirësimeve të mundshme të efikasitetit të impianteve, me instalimin e sistemeve të përhershme të matjes së cilësisë së ajrit, rritjen e shkëmbimeve të reja të ajrit, përmirësimin/fuqizimin dhe kalibrimin për rritjen e prurjeve të ajrit dhe krijimin e rrugëve të pastra të kalimit të ajrit në funksion të përdorimit të hapësirave, përmirësimin dhe/ose instalimin e pajisje të reja të sistemeve harduer dhe softuer për menaxhimin e ajrit. Këto ndërhyrje duhet të koordinohen me çdo rregullim të mundshëm funksional të hapësirave dhe të rrugëve të kalimit të destinuara për pasagjerët dhe ekuipazhet, për të luftuar përhapjen e virusit COVID-19.
Sistemi i ngrohjes, ajrosjes dhe kondicionimit të ajrit duhet të optimizohet për të garantuar nivel të lartë të ndërrimit të ajrit.
Operatorët ajrorë duhet të kryejnë pastrimin dhe dezinfektimin e avionit, sipas udhëzuesve për dezinfektimin dhe pastrimin, në fuqi.
Operatorët ajrorë duhet të përdorin lëndë të përshtatshme për përdorim në aviacion, pas çdo fluturimi që vjen nga një aeroport i vendosur në një zonë me rrezik të lartë të transmetimit të infeksionit COVID-19. Të tilla janë ato substance që përmbajnë alkool etanol 62%–71%, peroksid hidrogjeni 0,5% ose 0,1% hipoklorit i natriumit. Përshtatshmëria e ledeve duhet të kontrollohet sipas dokumenteve të prodhuesit të avionit.
Operatori ajror duhet të sigurojë në avion një ose më shumë Komplete Parandaluese Universale (KPU). Këto komplete duhet të përdoren për të mbrojtur anëtarët e ekuipazhit të cilët janë duke ndihmuar raste të dyshuara të COVID-19 dhe në pastrimin dhe heqjen e duhur të çdo përmbajtje potencialisht infektive.
Ekuipazhi i pastrimit duhet:
1.1 Të përdorë mjete të ndryshme pastrimi në zona të ndryshme, duke përdorur mundësisht kodimin me ngjyrë, në mënyrë që të zvogëlohet kontaminimi ndërmjet zonave.
1.2 Të shmangë dëmtimin e pjesëve dhe të përbërësve të avionit me dezinfektuesit;
1.3 Të spërkasë dyshemenë në drejtim nga fillimi në fund, përpara dezinfektimit dhe më pas të spërkasë përsëri në drejtim të kundërt.
1.4 Të dezinfektojë zonat kryesore, siç është specifikuar më poshtë, duke filluar nga lartë poshtë, duke punuar në mënyrë progresive nga zona të pastra në ato të ndotura:
1.4.1 Korridor: Tavanet, koshat e sipërm, dritat e leximit, daljet e ajrit, panelet anësore, dritaret, vendet (tavolinat e tabakatë, armaturat, njësitë e kontrollit të pasagjerëve dhe panelet dekorative), dollapët/dollapët me kyç, raftet e revistave, kabinën, ulëset e stjuardesave.
1.4.2 Tualet: Dezinfektimi në tualet duhet të fillojë nga zona të ndotura drejt atyre të pastra, si më poshtë: tualeti, koshat e mbeturinave, lavamani, muret e lavamanit, tavani, dyert (sipërfaqet, dorezat e dyerve, çelësi i derës etj.)
1.4.3 Kuzhina: Tavani, furrat, kaldaja me ujë, prodhuesit e kafesë, ambientet, dollapët/dollapët me kyç, koshat e mbeturinave.
1.4.4 Kabina e pilotit:
1.4.5 Për avionët ku kabina e pilotit është e ndarë nga kabina e pasagjerit, dezinfektimi parandalues duhet të konsiderohet vetëm kur ekuipazhi i fluturimit ka pasur një ndalesë më të gjatë, duke rezultuar në ekuipazh që del jashtë zonës së kufizuar të aeroportit (p.sh., udhëtimi në hotel për një periudhë pushimi) në zonat me rrezik të lartë. Përndryshe kabina duhet t’i nënshtrohet pastrimit rutinë
1.4.6 Për avionët ku ndarja e fortë midis kabinës së pilotit dhe kabinës së pasagjerëve nuk është e disponueshme frekuenca e dezinfektimit parandalues të kabinës së pilotit duhet të jetë e njëjtë me zonën e pasagjerëve.
AKSESI NË AEROPORT
1.Vajtje-ardhja në aeroport kryhet vetëm me automjet ose me taksi dhe sipas rregullave të përcaktuara për numrin e personave të lejuar në një automjet, përjashtuar rastet kur personat janë nga një familje, fëmijët e mitur dhe personat me aftësi të kufizuara. Automjeti privat parkohet ose nëse ardhja kryhet me shoqërues, ky i fundit vetëm lë pasagjerët dhe largohet.
2.Vajtje-ardhja e stafit të punësuar apo e personave të tjerë, si staf i shoqërive ajrore, punëtorë, staf i zyrave të tjera etj. kryhet me automjet, me taksi, si dhe me autobus/ mikrobus/ furgon, i cili dezinfektohet dhe lahet përditë. Ulja në këto mjete kryhet duke lënë një hapësirë bosh në radhë dhe vetëm me një person në secilin rresht. Autobusët dezinfektohen/lahen përditë, sidomos ndenjëset dhe sipërfaqet e prekura. (Ky proces evidentohet sipas rregullave të brendshme të entit që i disponon dhe sipas rekomandimeve të mundshme nga DPSHTRR-ja dhe ISHP-ja.)
3.Të gjithë personat pasagjerë apo staf i punësuar detyrimisht mbajnë maskën veshur në rrugën vajtje-ardhje për në apo nga aeroporti.
MATJA E TEMPERATURËS NË AEROPORT
1.Hyrja e pasagjerëve kryhet vetëm nga një hyrje unike e përcaktuar. Në hyrjet e aeroportit ose në terminalet e pasagjerëve, në varësi të konfigurimit të aeroportit, mund të sistemohen zona të jashtme të përkohshme të mbuluara dhe/ose të pambuluara për menaxhimin e çdo radhe të mundshme që mund të krijohet, për shkak të operacioneve të matjes së temperaturës, verifikimeve, ekzaminimeve dhe/ose regjistrimit të pasagjerëve. Këto zona, gjithashtu, do të mund të përfshijnë tenda/strehë për mbrojtjen nga dielli dhe kushtet e këqija të motit.
2.Përpara hyrjes për në zonën check-in dhe lënies së bagazheve në godinën (terminalin) e aeroportit ngrihet një stacion ku nën monitorimin e personelit të specializuar matet temperatura e pasagjerit me termometër të kalibruar saktësisht, sipas një metode joinvazive të pranuar. Pasagjerët me temperaturë mbi 37.5 gradë celsius nuk lejohet të vijojnë procedurën e check-in-it dhe ndaj tyre kryhen procedurat e tjera të verifikimit. Pasagjeri i cili kalon testin e temperaturës.
3.Hyrja e stafit të aeroportit kryhet vetëm nga një hyrje unike e përcaktuar (jo e njëjtë me pasagjerët). Përpara hyrjes ngrihet një stacion ku nën monitorimin e personelit të specializuar matet temperatura e personelit me termometër të kalibruar saktësisht. Personat me temperaturë mbi 38 gradë u nënshtrohen procedurave të tjera të verifikimit. Personat me temperaturë mbi 37.5 gradë celsius futen në zonën e veçantë të karantinimit.
4.Enti Menaxhues i Aeroportit duhet të garantojë kabina të ndryshme intervistimi për raste të dyshuara si potenciale, të cilat kërkojnë vlerësim të mëtejshëm. Këto kabina duhet të garantojnë konfidencialitetin dhe të parandalojnë transmetimin viral tek individët në kabinën ngjitur. Kabinat duhet të dezinfektohen pas çdo përdorimi.
5.Enti Menaxhues i Aeroportit duhet të sigurojë një mjedis me të gjitha kushtet higjienosanitare për izolimin e pacienteve brenda aeroportit.
DEKLARATA E COVID-19
Në përputhje me rregullat në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale, pasagjerët duhet të plotësojnë një deklaratë mbi statusin e tyre të COVID-19 përpara se të kenë një leje për të hipur në bord të avionit (boarding pass), gjatë procesit të check-in (deklarata në shtojcën 1 të këtij protokolli).
HYRJA NË GODINËN E AEROPORTIT DHE LËVIZJA E PASAGJERIT NË NISJE
Pas hyrjes në aeroport nga secila hyrje, qoftë për pasagjerë, qoftë për stafin, Enti Menaxhues i Aeroportit vë në dispozicion higjienizues për duart me produktin përkatës me përmbajtje mbi 70% alkool.
Enti Menaxhues i Aeroportit merr masa që në aeroport të krijohet mundësia e blerjes së maskave, në rast se pasagjerët nuk kanë maska personale.
Operatorët ajrorë, në koordinim me entin menaxhues të aeroportit, duhet të marrin masa që kontakti pasagjer-staf të kryhet përmes xhamit mbrojtës (plexiglass). Gjithashtu, vendosen shenjat e pritjes në radhë në distancë prej 1.5 metrash, si dhe distancë nga banaku prej 1 metri. Inkurajohet kryerja e check-in online për të shmangur radhët dhe kontaktet fizike.
Pasagjerët duhet të inkurajohen nga operatorët ajrorë për të minimizuar bagazhin e dorës dhe kalimin e bagazheve në kompartimentin e kargos. Nuk lejohet mbajtja e baterive lithium në pajisje ose më vete në bagazhet e kontrolluara.
Në kontrollin e sigurisë, pasagjerët, presin në radhë, duke respektuar distancën prej 1.5 metrash. Për këtë arsye vendosen shenjat përkatëse (shirita me ngjyrë të dallueshme) të pritjes në radhë. Personeli i sigurisë përdor maskë dhe mbrojtëse me xham mbrojtës (plexiglass). Pas çdo kontrolli me prekje të objekteve kryhet higjienizimi i duarve. Gjatë kontrolleve të sigurisë, sugjerohet minimizimi i rasteve të kontrollit me duar (hand search), pa neglizhuar kërkesat e sigurisë së aviacionit. Në zonën e kontrollit vendoset detyrimisht produkti higjienizues i duarve.
Pas kalimit të kontrollit të sigurisë, duke ruajtur distancën prej 1.5 metrash pasagjeri i drejtohet kontrollit të pasaportës. Kabina e kontrollit pajiset me ndarëse të fortë mbrojtëse. Pasaporta, bileta, prokura për fëmijët apo çdo dokument tjetër shqyrtohen duke u vendosur fizikisht në xhamin mbrojtës, përmes të cilit lexohet nga punonjësi i policisë, duke shmangur pra sa më shumë prekjen e dokumenteve. Pas kryerjes së kontrollit pasagjeri dezinfekton duart me higjienizues në dalje nga kjo zonë. Higjienizuesi vendoset menjëherë pas daljes.
Në pritje në dalje (gate) për t’u nisur, duhet të shmangen grumbullimet e personave. Pritja duhet realizuar duke ruajtur distancën e sigurisë. Në stola lihet një vend bosh i lirë për të respektuar distancën. Imbarkimi në avion duhet të kryhet në këmbë dhe jo me autobus. Enti përfaqësues i aeroportit merr masa për krijimin e korsive të dedikuara të ecjes më këmbë dhe të pritjes jashtë avionit për futjen me radhë të pasagjerëve, duke garantuar distancën prej 1.5 metrash. Prioritet kanë personat e moshuar, personat në nevojë dhe familjet me fëmijë të mitur. Këta duhen sistemuar nga kompania ajrore në fillim të avionit. Ky sistemim kryhet përmes caktimit të vendeve prioritare në check-in.
Nëse nevoja kërkon imbarkimin nëpërmjet autobusit, duhet të rritet numri i autobusëve për të siguruar distancën e nevojshme fizike.
Enti menaxhues i aeroportit, në koordinim me operatorin e avionit dhe ofruesit e shërbimeve, do të vendosin në pjesën e fundit të platformës së shkallëve një shpërndarës automatik të dezinfektimit, ku pasagjerët mund të dezinfektojnë duart para se të hyjnë në avion, si dhe një platformë dezinfektimi me një tapet të njomur me dezinfektues, mbi të cilin pasagjerët duhet të shkelin.
MENAXHIMI I PASAGJERËVE NË BORD TË AVIONIT
Stafi i punësuar mban në çdo moment maskat dhe dorezat veshur që nga ardhja në aeroport dhe deri në mbërritjen në aeroportin tjetër ku zbatojnë masat e protokollit sipas secilit destinacion.
Pasagjeri do të informohet nga ekuipazhi i operatorit ajror, me materiale udhëzuese, në lidhje me zbatimin e masave parandaluese në bord të avionit që përfshijnë:
2.1 Higjienizimi i duarve, veçanërisht para ngrënies apo pirjes dhe para përdorimit të tualetit;
2.2 Përdorimi i maskës;
2.3 Etika respiratore;
2.4 Kufizimi i kontakteve me sipërfaqet e kabinës së avionit;
2.5 Kufizim i kërkesave për shërbime në bord.
Në informimet që i jepen pasagjerit, duhet të përfshihet instruksioni për heqjen e maskave të fytyrës në rast të emergjencave dhe përpara përdorimit të maskës së oksigjenit. Po kështu edhe ekuipazhi informohet nga operatori i avionit që duhet të heqë maskën mbrojtëse, kur jep instruksione në rast emergjence.
Pavarësisht detyrimit të pasagjerit për të mbajtur maskë, operatori ajror duhet të garantojë furnizim të mjaftueshëm me maska në avion, veçanërisht për fluturime të gjata.
Nuk rekomandohet shërbimi i ushqimit apo i lëngjeve në bord. Në rast se do të shërbehen, mbetjet e tyre duhet të mblidhen sa më shpejt dhe të vendosen në vendgrumbullim të veçantë. Stafi shërben vetëm me doreza dhe maskë mbrojtëse.
Pasagjeri duhet të informohet lidhur me masat e aeroportit të shtetit ku do të mbërrijë. Ky informim kryhet në momentin e blerjes së biletës ose në bordin e avionit nëpërmjet audios, videos apo fletëpalosjeve të ilustruara me foto apo infografike të kuptueshme. Ndryshimet e momenteve të fundit duhet të komunikohen me mjetet e përshtatshme më parë, në mënyrë që pasagjerët të marrin masat përkatëse.
Nuk do të lejohet duty free apo shitje të tjera në bord të avionit.
Tualetet e avionit duhet të dezinfektohen përpara çdo fluturimi. Përdorimi i shpeshtë i tyre duhet të reduktohet.
Operatorët ajrorë që përdorin riqarkullim të ajrit të kabinës ose do të instalojnë dhe do të përdorin filtrat HEPA (filtrat me eficiencë të lartë të ajrit të grimcuar), sipas specifikave të prodhuesit ose do të shmangin përdorimin e riqarkullimit të ajrit të kabinës tërësisht, me kusht që të konfirmohet se kjo nuk do të rrezikojë asnjë nga funksionet kritike të sigurisë në operim (p.sh., ftohja avionike, presioni i kabinës etj.). Kur instalohen filtrat HEPA, ventilatorët e riqarkullimit nuk duhet të ndalen, por rritja e rrjedhës së ajrit të freskët duhet të përdoret, duke zgjedhur paketën e lartë të nxjerrjes së ajrit, kurdo është e mundur.
Operatorët ajrorë duhet të rishikojnë procedurat e tyre për përdorimin e ventilatorëve të riqarkullimit të ajrit dhe sistemeve të kondicionimit, bazuar në informacionin e dhënë nga prodhuesi i avionit. Operatorët duhet të konfirmojnë praktikën e zgjedhjes së konfigurimit të paketave të rrjedhjes së lartë të ajrit, me prodhuesit e avionëve dhe të ndjekin ato udhëzime për përdorim të vazhdueshëm.
Operatorët ajrorë, në kuadër të zbatimit të masave parandaluese të distancimit social, përveç masave të tjera shëndetësore dhe higjienike, që duhet të respektohen në çdo kohë, kur lejohen nga ngarkesa e pasagjerëve, konfigurimi i kabinës dhe kërkesat për masën dhe ekuilibrin, duhet të sigurojnë, sa të jetë e mundur, distancën fizike midis pasagjerëve. Anëtarët e familjes dhe individët që udhëtojnë së bashku, si pjesë e së njëjtës familjeje mund të ulen pranë njëri-tjetrit. Procesi i ndarjes së vendeve duhet të modifikohet në përputhje me rrethanat.
Operatorët ajrorë dhe enti menaxhues i aeroportit duhet të marrin masa që pasagjerët të mos qëndrojnë në bord të avionit më gjatë se 30 minuta pa ventilimin e duhur.
Dalja nga avioni kryhet me radhë duke respektuar distancën.
MENAXHIMI I PASAGJERËVE ME SIMPTOMA NË BORD TË AVIONIT
Në rast se, pas ngritjes së avionit, një pasagjer dëshmon simptoma që përputhen me COVID-19, siç janë temperatura, kolla, të vjella, diarre, vështirësi në frymëmarrje apo simptoma të tjera gripi, ndaj tij do të merren masat e mëposhtme:
Ekuipazhi siguron që pasagjeri simptomatik ka vendosur siç duhet maskën dhe vë në dispozicion maska të tjera. Nëse pasagjeri ka vështirësi në frymëmarrje, duhet t’i ofrohet asistencë mjekësore dhe furnizim me oksigjen të shtuar.
1.1 Pasagjeri duhet të izolohet në bord. Në varësi të konfigurimit të avionit dhe disponueshmërisë së rastit, pozicionin e rastit simptomatik dhe për aq sa është e mundur duhet të caktohet një zonë izolimi, duke lënë për aq sa është e mundur 2 radhë me ndenjëse të lira, rreth çdo drejtimi të pasagjerit të dyshuar;
1.2 Aty ku është e mundur tualeti më pranë pasagjerit të dyshimtë duhet të dedikohet specifikisht për të dhe nuk duhet të përdoret nga pasagjerët e tjerë dhe ekuipazhi;
1.3 Sipas përbërjes se ekuipazhit të kabinës, anëtari më i lartë i ekuipazhit të kabinës dezignon anëtarë të caktuar të ekuipazhit për të ofruar shërbime në fluturim në zonën e izoluar. Këta anëtarë duhet të jenë ata që kishin kontakt me pasagjerin e dyshuar dhe duhet të përdorin MMP nga Kompleti Parandaluese Universal i avionit. Ekuipazhi i dedikuar duhet të minimizojë kontaktin me pjesën tjetër të ekuipazhit dhe pasagjerët e tjerë.
Aty ku është e munduar, valvula individuale e ajrit për pasagjerin simptomatik duhet të mbyllet;
Nëse pasagjeri i dyshuar udhëton i shoqëruar, shoqëruesi duhet të vendoset në zonën e izoluar edhe pse nuk shfaq simptoma.
Ekuipazhi duhet të njoftojë aeroportin e destinacionit, nëpërmjet sistemit të kontrollit të trafikut ajror, të ndjekë udhëzimet e tyre dhe të plotësojë pjesën shëndetësore të deklaratës së përgjithshme të avionit për të regjistruar informacionin shëndetësor në bord dhe ta dorëzojë në autoritetet shëndetësore të pikës së hyrjes.
Pasi avioni është ulur dhe pasagjerët e tjerë janë zbritur nga avioni, pasagjeri i izoluar dhe kur kërkohet, anëtarët e ekuipazhit do të transferohen, sipas udhëzimeve të autoriteteve lokale të shëndetit.
Pasagjerët e ulur gjatë së njëjtës radhë apo deri në dy radhë më larg rastit të dyshuar, si dhe kushdo që ka pasur kontakt me të gjatë udhëtimit mund të konsiderohen kontakte të afërta dhe do të intervistohen dhe do të ndiqen nga ana epidemiologjike nga autoritete publike shëndetesore të vendit hyrës.
Operatori ajror duhet të marrë informacion mbi rezultatin e testimit për rastin e dyshuar sa më shpejt të jetë e mundur.
Anëtari i ekuipazhit që ofroi shërbimin në fluturim për rastin e dyshuar, konsiderohet kontakt i afërt dhe do të kryejë vetizolim pas kthimit në vendin e tij të origjinës, si dhe nuk do të shërbejë në rrugën e kthimit të linjës së udhëtimit ajror, duke respektuar të gjitha masat strikte të sigurisë.
Nëse rasti i dyshuar rezulton pozitiv, ekuipazhi përkatës do të vendoset në karantinë për 14 ditë. Nëse testi rezulton negativ, ata mund të rifillojnë detyrat në fluturim.
Pas largimit të rastit të dyshuar, pastrimi dhe dezinfektimi i avionit duhet të kryhet sipas instruksioneve në fuqi. MMP-të e përdoruara duhet të vendosen në një qese mbetjesh të veçantë të mbyllur mirë, e cila mund të procedohet sipas udhëzuesve për menaxhimin e mbetjeve të rrezikshme.
Nëse një pasagjer i dyshuar identifikohet përpara ngritjes së avionit, aeroporti dhe mjeku përkatës i ISHSH-së, duhet të njoftohen nëpërmjet koordinatorit të caktuar, sipas këtij protokolli, dhe ndiqen instruksionet në fuqi. Nëse nuk ka pasur kontakt të drejtpërdrejtë mes ekuipazhit dhe të dyshuarit, nuk ka nevojë të merren masa shtesë, në lidhje me menaxhimin e ekuipazhit, përveçse kur udhëzohet nga ISHSH-ja.
MENAXHIMI I PASAGJERËVE NË MBËRRITJE
Pasagjerët duhet të kujtohen nga operatori ajror mbi detyrimin për të mbajtur maskën dhe respektimin e distancës gjatë lëvizjes në këmbë.
Për pasagjerët në mbërritje, dalja nga avioni kryhet me radhë, duke respektuar distancën. Zbritja nga avioni bëhet me rreshta, duke filluar me rreshtin në korridor që është më pranë daljes së avionit, e duke vijuar me rreshtin që është në anën tjetër të korridorit, e më pas dalin me radhë karriget e mesit e në fund ato të dritares.
Lëvizja e tyre drejt pikës së kontrollit të pasaportave kryhet në këmbë. Nëse lëvizja kryhet me autobus, numri i autobusëve duhet të shtohet, me qëllim garantimin e distancës fizike përkatëse. Përpara futjes në aeroport duhen dezinfektuar duart dhe më pas kalohet në tunelin spray me dezinfektant. Në pritje vendosen shenjat e ruajtjes së distancës.
Operatorët ajrorë do të japin për autoritetet e shëndetit publik, pa vonesë dhe pa shkelur rregullat për mbrojtjen e të dhënave personale, të dhënat e mëposhtme: – emrin e plotë; – vendin e pasagjerit; – numër telefoni ose adresë email-i.
Në zonën e mbërritjeve kryhet matja e temperaturës me termometër të kalibruar saktësisht, sipas një mënyre joinvazive të miratuar. Për të evituar dublikimin, pasagjerët që vijnë nga fluturime BE, të cilët u janë nënshtrua matjes së temperaturës në aeroportin e nisjes, do të përjashtohen nga kjo procedurë kur hyjnë në RSH.
Personat me temperaturë mbi 37.5 gradë nuk lejohet të hyjnë në aeroport dhe ndaj tyre kryhen procedurat e tjera të verifikimit. Personat me temperaturë mbi 37.5 gradë futen në zonën e veçantë të karantinimit.
Asnjë pasagjer simptomatik nuk duhet të riatdhesohet me një fluturim të rregullt pasagjerësh.
Pritja e bagazheve, si dhe kontrollet e mundshme doganore kryhen duke respektuar distancën e sigurisë prej 1.5 metrash. Nuk duhen lejuar grumbullimet e personave në daljen e bagazheve. Enti Menaxhues i Aeroportit duhet të mundësojë shpërndarjen e bagazheve sa më shpejt të jetë e mundur.
Me daljen nga zona e mbërritjeve, pasagjeri vijon me dezinfektimin e duarve përpara se të largohet nga ambientet e brendshme të aeroportit. Familjarët e pasagjerit dhe persona të tjerë (taksistë, staf) nuk lejohen në afërsi të daljes nga godina e aeroportit.
MENAXHIMI I EKUIPAZHIT
Anëtarët e ekuipazhit, anëtarët e stafit të aeroportit dhe anëtarët e ofrimit të shërbimeve duhet të përjashtohen nga procedurat e kontrollit të COVID-19, nëse operatorët ajrorë dhe enti menaxhues i aeroportit dëshmojnë se kanë në fuqi dhe zbatojnë një procedurë ekuivalentë për të monitoruar gjendjen shëndetësore të stafit të tyre. Enti menaxhues i aeroportit duhet të garantojë radhë të veçantë për ekuipazhin.
INFORMIMI
Enti Menaxhues i Aeroportit duhet të afishojë listën e simptomave të COVID-19, sipas check-listës së miratuar dhe numrin jeshil për denoncim.
Enti Menaxhues i Aeroportit duhet të afishojë posterin informues mbi uljen e riskut të COVID-19, sipas formatit të miratuar dhe numrin jeshil për denoncim.
Enti Menaxhues i aeroportit duhet të afishojë deklaratën për zbatimin e protokollit të aeroportit nga personat e punësuar/pasagjerët.
Enti Menaxhues i Aeroportit duhet të përgatisë materiale informuese ku do të përfshihet detyrimi për vetëvlerësim të simptomave nga personeli i punësuar/pasagjeri/çdo person tjetër palë e tretë që hyn e del në aeroport; mundësia e ndalimit të udhëtimit për pasagjerët me simptoma; detyrimi i pasagjerit për t’u paraqitur i pashoqëruar në aeroport; detyrimin për të zbatuar rregullat e distancimit fizik, atë të mbajtjes së maskës, të etikës respiratore, higjienës etj., përgjegjësia për personin apo subjektin juridik që nuk merr masat sipas detyrimeve ligjore dhe këtij protokolli etj.
Autoritet i Aviacionit Civil mbikëqyr marrjen e masave nga Enti Menaxhues i Aeroportit dhe shoqëritë ajrore, sipas detyrimeve të këtij protokolli.
Materialet afishohen në hyrje-dalje të aeroportit, si dhe në vende të dukshme në brendësi të tij dhe bëhen publike me mjete të tjera alternative si ëebsite, pamje video etj.
Gjuha e përdorur do të jetë shqip dhe anglisht.
Operatorët ajrorë në momentin e blerjes së biletës i japin pasagjerit informacione mbi fluturimin dhe rregullat e sjelljes të diktuara nga emergjenca shëndetësore në proces dhe, më në veçanti, ato që kanë të bëjnë me kufizimet e udhëtimit për të gjithë pasagjerët që paraqesin simptoma të pajtueshme me COVID-19 para mbërritjes në aeroportin e nisjes. Kërkohet që Enti Menaxhues i Aeroportit dhe operatorët ajrorë të koordinohen mes tyre për të ofruar udhëzime unike për përdoruesit e tyre, në lidhje me përdorimin e saktë të aeroportit/terminalit të nisjes dhe të mbërritjes. Në kohën e riaktivizimit të operimeve në aeroport/terminal kërkohet një koordinim i fushatave ndërgjegjësuese drejtuar pasagjerëve për përdorimin e transporti ajror në përputhshmëri të plotë me rregullat për parandalimin e përhapjes së virusit.