Rusi, dorëhiqet guvernatori i rajonit ku humbën jetën 64 persona

schedule12:18 - 1 Prill, 2018

schedule 12:18 - 1 Prill, 2018

Është dorëhequr guvernatori i rajonit Kemerovo në Rusi, ku humbën jetën 64 persona për shkak të zjarrit në një qendër tregtare. Ai tha se nuk mund të punojë me një barrë të tillë.

Guvernatori i rajonit të Kemerovos në Rusi dha dorëheqjen të dielën për shkak të zjarrit në një qendër tregtare ku humbën jetën 64 persona pas shumë shkeljesh në procedurat e sigurisë duke lënë blerësit dhe fëmijët e bllokuar brenda ndërtesës. Aman Tuleyev, 73 vjeç, tha në një video të postuar në faqen e internetit të administratës rajonale se dorëheqja ishte e vetmja rrugë veprimi e mundur. Presidenti Vladimir Putin pranoi dorëheqjen e tij, tha Kremlini.

“Me një barrë të tillë të rëndë, është e pamundur të punosh si guvernator”, tha Tuleyev, i cili qeveriste rajonin për më shumë se dy dekada.

Zjarri i së dielës së kaluar, një nga më të vdekjeprurësit në Rusi që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik, përfshiu një kompleks kinemaje dhe një zonë argëtimi për fëmijë në katet e sipërme të qendrës tregtare “Cherry Ëinter”. Hetuesit thanë javën e kaluar se daljet e emergjencës ishin bllokuar ilegalisht, sistemi i adresimit publik nuk ishte ndezur, sistemi i alarmit ishte thyer dhe fëmijët ishin mbyllur brenda kinemave. Putin tha se incidenti ishte shkaktuar nga neglizhenca kriminale dhe se përgjegjësit do të dënoheshin.

Ndërkohë, në drejtim të këtij rajoni është vendosur 56-vjeçari Sergei Tsivilyov, i cili mbante postin e zëvendësguvernatorit. Autoritetet kanë arrestuar për këtë ngjarje dhe drejtorin e kompanisë që zotëronte qendrën tregtare./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!