Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç ka deklaruar se vendi i tij është i gatshëm për vazhdimin e dialogut me Kosovën. Diplomati serb ndër të tjera ka theksuar se pas zgjedhjeve në Serbi, më 21 qershor, presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, do të bisedojë me zyrtarët evropianë për këtë çështje.
“Meqenëse Qeveria e re (e Kosovës) i shfuqizoi të ashtuquajturat masa reciprociteti, e para kësaj është shfuqizuar edhe taksa, kushtet për vazhdimin e dialogut janë përmbushur. Ne jemi të gatshëm për vazhdimin e dialogut. Duam që të vijë deri te një zgjidhje e qëndrueshme, një kompromis, por, në këtë moment, është herët të flitet për këtë, sepse nuk ka pasur dialog për kohë të gjatë”, shtoi ai.
Dialogur Kosovë-Serbi ka nisur që në vitin 2011 me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, është ndërprerë në fund të vitit 2018, për shkak të taksës 100 për qind që u ka vënë Qeveria e atëhershme e Kosovës prodhimeve të importuara nga Serbia.
Serbia e ka kushtëzuar vazhdimin e dialogut me heqjen e taksës dhe të masave të reciprocitetit. Taksa është hequr më herët nga Qeveria e ish-kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, e cila më pas ka vendosur masa reciprociteti ndaj Serbisë./abcnews.al