Për të folur në lidhje me gjendjen e ekonomisë shqiptare pas pandemisë, i ftuar në studion e “Byro Politike” ishte eksperti i ekonomisë Besart Kadia.
Duke folur për eurobondin prej 650 milionë eurosh të marrë së fundmi nga shteti shqiptar, Kadia u shpreh se kjo çështje mund të diskutohet në terma politikë dhe ekonomikë.
Duke u ndalur tek aspekti politik, Kadia deklaroi se marrja e eurobondit është arritje për shtetin shqiptar, është një lloj lajmi i mirë. Gjithsesi, shton ai, mbetet për t’u parë se çfarë bëhet me këto para pasi merren.
Kadia: “Për qytetarët shqiptarë, nuk kuptohet mirë, por padyshim që është një arritje për shtetin shqiptar që të marrë një shumë të madhe borxhi… Interesi për këtë ka qenë më i madh. Për shtetin shqiptar, është një lloj lajmi i mirë, që arrijmë për herë të katërt të marrim këtë shumë… Falë traditës së filluar në 2010, kjo është hera e katërt që marrim eurobond. Kur del shteti shqiptar në tregun europian e ka shlyer detyrimin…”
Sa i përket investimeve publike që janë bërë, Kadia shprehet se mendon se nuk kanë qenë produktive për ekonominë shqiptare.
Kadia: “…Mendoj që me të dhënat e Bankës Botërore, këto para edhe kur merren borxh. Keq-menaxhohen ose shkojnë në programe që kanë asnjë lloj oponence reale që pse është mirë apo keq. Ja ku jemi pas 7 vitesh qeverisjeje, të borxhit që është marrë shpesh herë, dhe ekonomia shqiptare lëngon ashtu siç ka lënguar në 10 vite. Këto janë sinjale që tregojnë që ekonomia shqiptare pavarësisht këtij borxhi të madh nuk ka sjellë produktivitet apo rritje ekonomike.”
Ndërsa sa i përket heqjes së tatimit të fitimit për bizneset e vogla, lajm që e dha kryeministri para disa ditës, eksperti i ekonomisë u shpreh se ishte një “vendim simbolik”
Kadia shtoi se kjo lëvizje është shumë pak dhe shumë vonë për biznesin e vogël.
Kadia: “Tatim fitimi ishte simbolik, sesa goditje për financat. Bizneset që janë deri në 50 milion lekë xhiro nuk paguajnë tatim mbi fitimin. Të tjerët fitojnë deri në 100 mije leke fitim nga kjo. Taksat e tjera janë shumë herë më të mëdha. Janë një sërë taksash të tjera që realisht i godasin bizneset. Duket sikur po i ndihmojmë…por mund të ishte bërë edhe para 7 vitesh. Është lajm i mirë, por është shumë pak e shumë vonë.” /abcnews.al/



