Afati i mandatit të Dvoranit, ndërkombëtarët refuzojnë kërkesën e KLGJ: Nuk japim opinion

schedule11:21 - 10 Qershor, 2020

schedule 11:21 - 10 Qershor, 2020

Dy misionet e Bashkimit Europian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës EURALIUS dhe OPDAT kanë refuzuar të japin opinion lidhur me çështjen e mbarimit të mandatit të kreut të KED, Ardian Dvorani.

Ata thonë se nuk pranojnë të japin opinione për çështje individuale, pasi kjo në rastin konkret është përgjegjësi ekskluzive e Këshillit të Lartë Gjyqësor.

“Duke u nisur nga shkresa dhe informacionet që na dërguat, kuptojmë që kërkesa juaj rrjedh nga nevoja për të adresuar një cështje individuale.

Në këtë kontekst, Misioni Euralius V dhe Projekti i USAID-it Drejtësi për të Gjithë në Shqipëri janë të detyruar të theksojnë se, ndonëse ne jemi të përgatitur të ofrojmë asistencë teknike për Këshillin, jo vetëm si një çështje parimore por edhe praktikash të përcaktuara qartë, ne nuk japim opinione për çështje individuale, pasi kjo është një përgjegjësi ekskluzive e Këshillit”, thuhet në përgjigjen e tyre.

LEXO EDHE: Pandemia dhe përplasjet Meta-Dvorani mbajnë Kushtetuesen të bllokuar, 22 kandidatë në pritje

Rreth një muaj më parë , në një mbledhje online, Këshilli i Lartë Gjyqësorë shtyu vendimmarrjen mbi mbarimin apo jo të mandatit të anëtarit të Gjykatës së Lartë, Ardian Dvorani njëkohësisht edhe drejtues i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Dvorani është  emëruar anëtar i Gjykatës së Lartë me propozim të presidentit Alfred Moisiu në vitin 2005. Mandati i anëtarit të Gjykatës së Lartë sipas Kushtetutës së vitit 1998 ishte nëntë vjet pa të drejtë rizgjedhjeje. Mandati i Dvoranit ka përfunduar në vitin 2014, por ai nuk është zëvendësuar akoma.

Kjo lëvizje e KLGJ erdhi pas kërkesës së presidentit Ilir Meta, pas një konflikti mes tyre për procedurën e dekretimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, i cili vijon tashmë prej gati 9 muajsh.

Meta i kërkon KLGJ që të shprehet ose të njoftojë përfundimin e mandatit të Dvoranit./abcnews.al