Presidenti amerikan Donald Trump të martën ndau një teori konspirative të pabazë, duke sugjeruar se një protestues i moshuar i rrëzuar në trotuar nga policia javën e kaluar në qytetin Bafalo të shtetit të Nju Jorkut, mund të ketë qenë një “provokator” nga lëvizja antika.
Në Twitter, Presidenti Trump përsëriti një version të incidentit të transmetuar në kanalin One America News, që ka prirje për të mbështetur Presidentin Trump. “Protestuesi i Bafalos, i shtyrë nga policia, mund të jetë një provokator i ANTIFA-s. 75 vjeçari Martin Gugino u shty nga policia pasi dyshohej se po përpiqej të bllokonte pajisjet e policisë”. Trump shtoi, “Unë e pashë se si ai ra në tokë më fortë se sa ishte shtyrë. Ai kishte në shënjestër policinë. A mund të jetë kurth? ”
Avokatja e zotit Gugino, i cili mbetet i shtruar në spital për shkak të një lëndimi në kokë, dënoi shpejt postimin e Presidentit Trump në Twitter, duke thënë se ishte “një akuzë e rëndë, e rrezikshme dhe e pavërtetë” që zoti Gugino kishte qenë pjesë e një “kurthi” të koordinuar nga demonstruesit antifashistë. “Martini ka qenë gjithmonë një protestues paqësor sepse është i interesuar për gjendjen e shoqërisë sot,” tha avokatja Kelly Zarcone. “Ai është gjithashtu një banor tipik i Nju Jorkut perëndimor që e do familjen e tij.
Guvernatori i Nju Jorkut Andrew Cuomo dënoi gjithashtu postimin e Presidentit Trump në Twitter.
“Nuk ka asnjë fakt për asnjë nga pretendimet e tij. Ai duhet të kërkojë falje për postimin në Twitter, tha Cuomo. Ari Fleischer. “Prirja e presidentit për të shpërndarë teoritë konspirative do ta shkatërrojë atë nga pikëpamja politike. Kjo është e pamatur. Ai nuk e dinë si të ndalet,” përfundoi Fleischer.
Ndaj dy policëve në Bafalo, Aaron Torgalski dhe Robert McCabe, u ngritën akuza për sulm pas publikimit në mediat sociale të një video, ku ata shihen duke e shtyrë me forcë zotin Gugino pasi ai iu afrua atyre të premten e kaluar gjatë një proteste kundër vdekjes nën arrest të afro-amerikanit George Floyd më 25 maj në Mineapolis.
Presidenti Trump shpesh e ka quajtur lëvizjen antifashiste Antifa si një organizatë terroriste vendase dhe ka thënë me prova të pakta se ata kanë qenë përgjegjës për dhunën që shpërtheu në disa nga protestat në vend pas vdekjes së George Floyd. Në ditët e fundit, protestat kanë qenë kryesisht paqësore me pak arrestime./abcnews.al