Ishte njeriu me të cilin opozita ishte zotuar që nuk do të ulej kurrë, e megjithatë firmosën bashkë një marrëveshje.
Si kryenegociator i Edi Ramës, Damian Gjiknurit ju desh që për hir të balancave politike të hiqte dorë nga depolitizimi i komisioneve, për të cilën luftonte të paktën që nga janari. Sot, ai skanon vlerat e kësaj marrëveshje.
“Ky ligj është i shkruar nga opozita, kjo marrëveshje përgjithësisht ka reflektuar kërkesat e opozitës. A ishte kjo më e mira për të arritur rekomandimin? Jo, këtë e them me plot bindje, por nga ana tjetër a është e rëndësishme për paqen në vend? E them me plot bindje që po, pasi PD u kthye në tryezë dhe njohu institucionet zgjedhore”, tha Gjiknuri.
Në këtë intervistë për “ABC News”, Gjiknuri tregon porosinë që i kishte dhënë kryeministri teksa negocionte.
“Porosia që kam pasur nga kryeministri si negociator që kam qenë, ishte: “Adresohu në maksimum me shqetësimet që ka opozita, në mënyrë që çdo lloj alibie t’i hiqet këtij vendi, sepse kemi marrë një njollë të pamerituar”, u shpreh ai.
Kryekomisioneri do të zgjidhet me konsensus, zv/komisioneri do t’i takojë opozitës, ndërsa 10 anëtarët, 5 të Këshillit Rregullator dhe 5 të KAS, do të ndahen 3 me 2, ku në një shumicën e ka mazhoranca e në një opozita. Por palët ende nuk e kanë ndarë se cilën dhomë do dominojnë secila.
“Origjinale, formula ka qenë që të votojmë me një shumicë të cilësuar votash, por për shkak se PD nuk ishte në Parlament, ne po presim që ata të vijnë dhe me një propozim. Duhet të jenë inovativ, në mënyrë që të reflektohen edhe opinionet e tyre në përzgjedhjen e këtyre komisioneve.
Damian Gjiknuri thotë se gjithçka duhet të votohet brenda korrikut, në mënyrë që të ngelet kohë për futjen e aparaturave në zgjedhje.
“Nga komunikimet që kam pasur, besoj që brenda kësaj jave ne duhet ta mbyllim. Drafti ka qenë gati, thjesht po përshtaten termat e reja që u arritën në marrëveshje me draftet aktuale. PD duhet të ndajë mendjen për dy apo tre gjëra që duan saktësime”, tha ai.
Mazhorancës i duhen dhe 6 vota nga opozita për të miratuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor.
“Ky është një problem që mbetet për tu parë. Ne si mazhorancë do të bëjmë përpjekjet maksimale. Unë nuk dua të negocioj ndryshime mbi këtë pakt të arritur”, tha ndër të tjera Gjiknuri.
Bashkë me Kodin Penal, do të ndryshojë dhe Kodi Penal, ligji për policinë dhe ai për prokurorinë, duke reflektuar kështu disa kërkesa të opozitës./abcnews.al