Suad Lici, administratori i Vllaznisë, ka dalë para medieve dhe ka prezantuar trajnerin e ri, Hysen Dedja. Shkodrani ka nënshkruar deri në fund të këtij sezoni dhe gjithçka do të varet nga rezultatet. Lici, mes të tjerash theksoi se Dedja ka marrë garancitë e duhura për vijimësinë e kampionatit.
“Sot bëjmë prezantimin e trajnerit Hysen Dedja. Është një emër i njohur për qytetin tonë, një ish-futbollist kampion, një trajner kampion me Vllazninë. Krahasuam kandidaturat dhe vendosëm të bashkëpunojmë me trajnerin Hysen Dedja. Marrëveshja është deri në fund të sezonit dhe pastaj do rishikohet. Shpresojmë të kemi ecuri të mirë dhe të zgjatim bashkëpunimin”, tha Lici fillimisht.
Lici, më tej flet edhe në lidhje me synimet e Vllaznisë dhe për humbjen që pësuan kundër Laçit. “Sa i takon objektivave, duam të ngjitemi sa më lart dhe të shkojmë në finalen e Kupës. Dje u bë një analizë, sot do bëhet një tjetër analizë e detajuar. Do analizojmë humbjen me Laçin. Jemi të zhgënjyer nga rezultati dhe mënyra si shkoi ndeshja. Nuk e kishim parashikuar ashtu. Do ua themi gjithçka lojtarëve në analizë”.
Në lidhje me frikën e problemeve financiare në vazhdim, Lici shtoi: “I kemi dhënë garanci trajneri Dedja për anën financiare. Klubi ka shlyer detyrimet për muajt shkurt e mars. Nuk besoj se do kemi problematika”.
Në fund dy fjalë edhe për trajnerin Jonuz: “Dua ta falënderoj Jonuz, ishte pjesë e klubit dhe bëri zgjedhjen e tij me përfundimin e kontratës. Klubi ka për detyrë t’u sigurojë futbollistëve banesat, por jo t’ua paguajë faturat e ujit dhe të energjisë elektrike. Është një debat i pavlerë”. /abcnews.al