Atentati në Elbasan, Hoxha tregon organizuesit: Elementët e atentatit janë të mirëmenduara

schedule18:53 - 8 Qershor, 2020

schedule 18:53 - 8 Qershor, 2020

I ftuar në studion e ABC News përballë gazetarit Endri Xhafo, ishte gazetari Artan Hoxha i cili foli për atentatin paraditen e kësaj të hëne në Elbasan.

Gjatë bisedës Hoxha tha se paga që marrin forcat speciale brenda një jave nga një grup kriminal, e kalon rrogën e një viti në shtet, dhe sipas tij, kushtet financiare bëjnë që këta ish-komando të paguhen për atë që dinë të bëjnë më së miri, qitjen.

Gazetari shtoi se në Shqipëri, nuk është hera e parë që përdoret një ish-komando dhe deklaroi se shumë ish-anëtarë të forcave speciale janë vënë në kërkim për disa ngjarje të bujshme, pa përmendur emra.

Më tej Hoxha theksoi se në atentatin e sotëm ndaj Ardian Çapja në Elbasan mendohet dhe dyshohet se kanë marrë pjesë disa grupe kriminale rivalë të Çapjave. Sipas tij, Elbasani është një qytet i rrezikshëm dhe duhet devijuar.

LEXO edhe: Atentati në Elbasan, Hoxha: Ajo që ndodhi sot, kronikë e paralajmëruar

“Nuk mund të ketë sukses në rast se nuk çohet një grup nga Tirana për ta ndjekur këtë çështje. Këta janë njerëz që shumë herë kanë hyrë në burg, dhe kanë dalë pa u lagur. Ne kemi thënë që Elbasani është një qytet i rrezikshëm dhe duhet devijuar. Ata e kanë ndarë qytetin në territore.

Hetimet e policisë janë drejtuar në faktin se ky atentat dyshohet të jetë organizuar dhe financuar nga disa grupe kriminale. Po të shohësh elementët e atentatit janë të mirëmenduara për të mos lënë gjurmë.

LEXO edhe: Hoxha për atentatin ndaj Çapjas: Policia nuk është njoftuar nga familjarët, por nga spitali

Po të numëroj atentatet vitin e kaluar, ka një seri ngjarjesh, duhet të jenë të paktën 9 të tilla, pa autorë. Tentativa e fundit ishte pak ditë më parë nga RENEA, i cili nuk kapi dot kryesorin por një tjetër. Në këto lloj ngjarjesh duhet patjetër një tjetër sjellje sepse kjo luftë do të tjera mbështetje dhe qasje”, tha Hoxha.

Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e sotëm në zonën e Krastës në Elbasan.

Ardian Çapja, koka e familjes dhe pronari i një sërë bizneseve në Elbasan ka rënë pre për herë të tretë e një atentati, ku është qëlluar me snajper, por nuk është arritur që të eliminohet.

I plagosur ka ngelur edhe një zjarrfikës i cili ka tentuar të shuajë flakët tek makina e djegur e autorëve, por aty është përballur me shpërthimin e disa fishekëve./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!