Skandali i naftës “Virgine”, 10 vjet burg Xhillarit

schedule16:58 - 29 Mars, 2018

schedule 16:58 - 29 Mars, 2018

Biznesmeni Ardian Xhillari u dënua me 10 vjet burg nga Gjykata e Tiranës. Sipas gjykatës, biznesmeni ka bërë transport fiktiv të 4.4 milionë litra naftë “Virgine”, që është hedhur në treg në mënyrë të jashtëligjshme. Ndërsa dy ish-zyrtarë të doganave, të pandehur në të njëjtin proces, u deklaruan të pafajshëm.

Gjykata e Tiranës dënoi me 10 vjet burg Ardian Xhillarin, biznesmenin e akuzuar për skandalin me naftën “Virgine”. Ndërsa dy të pandehurit e tjerë në proces, ish-zv/drejtoresha e Doganave, Lula Njebza dhe ish-kryetarin e Doganës Tiranë, Mirarbër Teneqexhiu, të akuzuar për “shpërdorim të detyrës” fituan pafajësi.

Sipas gjykatës, përmes shoqërisë së tij “Tea Construction & Petrol” sh.a., Xhillari ka kryer transportin fiktiv të një sasie prej 4.4 milion litra
naftë “virgine” nga një magazinë në Kodër Mzez Tiranë për në magazinën doganore në Kombinatin e Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh. Kjo lloj nafte është mbetje teknologjike hidrokarbure, që nuk mund të tregtohet apo të përpunohet në territorin Shqiptar. Por në këtë rast ka rezultuar se transporti është bërë vetëm në letra dhe sasia e naftës është hedhur në treg.

Biznesmenoi Xhillari u fajësua për veprat penale të “fshehjes së të ardhurave”, “mospagimit të taksave” dhe “pastrimit të parave”.
Në vendimin prej 78 faqesh në total, një kopje të cilit është siguruar nga “Abcneës”, gjykata arsyeton se biznesmeni ka realizuar të ardhura të paligjshme, që nuk i ka deklaruar, nuk ka paguar detyrimet tatimore, si edhe ka riqarkulluar të ardhurat e krijuara në mënyrë të paligjshme nëpërmjet sistemit bankar. Xhillari u dënua në mungesë. Ai ndodhet i arrestuar në Gjermani, ku pret ekstradimin drejt Shqiperisë.

Ashtu si administratori i saj, fajtore u shpall edhe shoqëria “Tea Construksion & Petrol” në cilësinë e personit juridik. Për të, gjykata vendosi “mbarim të personin juridik”, c’ka do të thotë mbylljen e saj. Në vendim togat e zeza urdhëronin shuarjen e masës së sigurisë “detyrim për paraqitje” për ish-zyrtarët e doganave Njebza e Teneqexhiu, për të cilët prokuroria në pretencë kërkoi fajësi dhe dënime me 5 dhe 3 vjet burg./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!