Bie numri i telefonatave pranë Urgjencës Kombëtare. Në ditët e para të qershorit janë regjistruar rreth 9 mijë thirrje, një numër ky i ulët krahasuar me ditët e para të pandemisë ku shënohej i njëjti numër thirrjesh brenda 24 orëve.
Prej tyre vetëm 300 janë thirrje për Covid-19, ndërsa është akoma më i vogël numri i atyre që kanë pasur nevojë për këqyrje nga afër, vetëm 50 të tilla.
Urgjenca Kombëtare njofton se në ditët e para të qershorit janë referuar për tampon vetëm 150 raste pranë Institutit të Shëndetit Publik.
Megjithatë urgjenca i bën thirrje qytetareve të tregohen të ndërgjegjëshëm me lirimin e masave duke respektuar distancën e sigurisë dhe rregullat e tjera të rekomanduara për të ndaluar përhapjen e koronavirusit në vendin tonë.
LEXO EDHE: Koronavisuri boshatis poliklinikat, shërbimi jepet përmes telefonit, trajtohen vetëm urgjencat
“Rreth 9 mijë thirrje kanë mbërritur drejt numrit 127 vetëm në ditët e para të muajit qershor. Ky numër është ulur ndjeshëm krahasuar me ditët e para të fillimit të pandemisë ku numri i thirrjeve arriti në 8232 në vetëm 24 orë.
Pavarësisht rasteve të reja me COVID-19, po ashtu ka rënë ndjeshëm edhe numri i thirrjeve për COVID-19 në rreth 300 thirrje në ditët e para të qershorit, nga të cilat 55 prej tyre janë aktivizuar në misione, ku autoambulancat dhe stafi mjekësor i QKUM dhe Urgjencës së Tiranës kanë bërë të mundur transportimin e tyre drejt infektivit, ndërsa pjesa tjetër është ndjekur nga mjekët e familjes. Po ashtu, në ditët e para të muajit qershor, janë referuar te epidemiologët për tampon rreth 150 raste.
Duke pasur parasysh lirimin e masave dhe rastet e reja të konfirmuara me COVID-19, Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore, ju këshillon të tregoheni të kujdesshëm, të ruani distancën dhe të ndiqni me përpikmëri protokollet e vendosura nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Ruani distancimin fizik mbi 1.5 metër.
Kur nuk arrihet distancimi fizik përdorimi i maskës është i domosdoshëm. Ruani etiketën respiratore. Kur kolliteni apo teshtini përdorni shami letre ose këndin e brrylit. Masat e higjienës personale duhet të kombinohen me larjen sa më të shpeshtë të duarve për më shumë se 20 sekonda.
Evitoni ambientet e mbyllura dhe grumbullimet me shumë njerëz dhe kujdesuni për të moshuarit. Mos neglizhoni shenjat e sëmundjes prandaj telefononi në numrin unik të Urgjencës Kombëtare, 127.
QKUM në shërbimin tuaj!”, thuhet në njoftimin e Urgjencës Kombëtare./abcnews.al