Dy persona të armatosur i grabitën një sasi parash administratorit të një biznesi, teksa ai po hynte në një bankë të nivelit të dytë në Tiranë. Autorët e kanë goditur në kokë biznesmenin, duke e lënë pa ndjenja dhe janë larguar bashkë me paratë.
Një biznesmen ra pre e një grabitje mesditën e së mërkurës në kryeqytet.
Ngjarja ndodhi pranë një banke të nivelit të dytë në zonën e Komunës së Parisit, ku përfaqësuesi i një firme private ishte duke depozituar një sasi parash cash.
Sipas policisë, dy autorët, të cilët ishin pozicionuar jashtë ambienteve të bankës, ishin të maskuar. Pak çaste pasi biznesmeni doli nga automjeti i tij për të depozituar paratë në bankë, u godit me send të fortë në kokë, duke humbur ndjenjat.
Grabitësit bashkë me paratë, sipas dëshmive, u larguan me motor nga vendngjarja drejt rrugës “Medar Shtylla”, duke humbur gjurmët përmes pallateve të lagjes.
Dëshmitarët okularë pohuan në polici se autorët qëndronin prej rreth një ore me motorin e tyrë afër bankës së nivelit të dytë.
Viktima e kësaj grabitje ndodhet në Qendrën Spitalore të Traumës nën kujdesin e mjekëve, pasi ka marrë dëmtime të shumta në kokë dhe fraktura duar.
Policia zyrtarisht nuk e ka përcaktuar shumë e parave që u grabit, por dyshohet te jetë rreth 5 mijë euro.
Grupi hetimor ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë të bankës dhe të subjekteve të tjera pranë saj, për të kontrolluar lëvizjet e dy autorëve të grabitjes dhe për të bërë të mundur identifikimin e tyre./abcnews.al