Ministri i punëve të jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, ka mohuar se Serbia do të ndalë fushatën për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.
Radio Evropa e Lirë, duke u cituar në burime nga Brukseli, ka shkruar të enjten se Serbia ka pranuar të ndalë këtë fushatë, me synim për të krijuar atmosferë më të mirë për rifillimin e dialogut me Kosovën.
Por Daçiç ka deklaruar se kjo është një “gënjeshtër e madhe”.
“Serbia nuk ka ndalur fushatën për tërheqjen e njohjeve të Kosovës dhe as që do të ndalojë, nëse të gjithë të tjerët nuk ndalen me fushatën për njohjen e të ashtuquajturës Kosovë”, ka thënë Daçiç për Tanjug.