“Zgjedhorja”, gazetari: Shqipëria ndodhet përballë një plage civile

schedule09:41 - 4 Qershor, 2020

schedule 09:41 - 4 Qershor, 2020

Gazetari Poli Hoxha në “ABC e mëngjesit” ka folur për zhvillimet mbi Reformën Zgjedhore. Ai u shpreh se pavarësisht diskutimeve të shumta nuk pati rezultate konkrete.

Për gazetarin kjo fazë e reformës është një rrjetë e hedhur duke nënkuptuar pritshmëri shumë të ulëta, pavarësisht se pritshmëritë ishin shumë të mëdha.

Hoxha u shpreh se po bëhet një retushim reforme, ndërsa shtoi se në Shqipëri është bërë normë mungesa e transparencës dhe se vendi është në një plagë të madhe civile.

“Duket sikur disa sekte mbyllen pa kamera pas dyerve. Në fund të fundit qytetari të vetmen pasuri që ka është vota. Diskutimet vazhdojnë për orë të gjata dhe kjo situata në pamje të parë nuk pritet të sjellë asgjë. Nuk kam një besim të lartë të sistemi i ri, por besoj vetëm te çështja e listave të hapura”, u shpreh gazetari.

Gjatë bisedës në studio me gazetarin Enkel Demi ai tha më tej se këto aktorë politikë as “pazaret” (marrëveshjet) e tyre nuk i tregojnë.

“Nuk e di se si do ecin gjërat , por në votim do të shkojë administrata që është e detyruar për bukën e gojës, priten gjithashtu edhe militantët e përbetuar”, tha më tej ai.

Sakaq ai shtoi: Kurthi më i madh është kurthi i demokracisë gjithëpërfshirëse e cila duhet të jetë një demokraci funksionale. Duhet të kuptojmë që ne në Shqipëri qeverisemi qoftë nga pushteti qoftë nga opozita, nga një minorancë.

Në Shqipëri me gjithë këtë proces, besoj se si përfundim do të ketë një rritje të bojkotit. Këtu nuk interesohet njeri se në pushtet janë 20 % e 47 %, që besoj do të ketë akoma më shumë rënie. Këta nuk interesohen se mbi çfarë lloj vote e mbajnë apo e fitojnë pushtetin. Nëse publiku bindet që nuk ka pazare apo vjedhje, ai do të marrë pjesë në votime.

Më tej ai shtoi se Shqipëria është në një plagë të madhe civile, njësoj siç është edhe emigracioni. “Në çdo përplasje popullore duhet të ketë frymëzues”, u shpreh ai./abcnews.al