Urim dhe këshilla, Duka: Rinisemi më në fund, mos harroni zbatimin e rregullave

schedule14:37 - 3 Qershor, 2020

schedule 14:37 - 3 Qershor, 2020

Sot rifillon Kategoria Superiore, që zhvillon javën e 27-të të saj. Në orën 17:00 nisin katër duele, teksa Partizani dhe Skënderbeu do të përballen mes tyre duke nisur nga ora 20:00. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka ka uruar botën e futbollit me anë të një postimi në rrjetet sociale.

Të dashur futbollistë, tifozë dhe miq të futbollit! Pas një periudhe të vështirë për të gjithë vendin, por edhe gjithë botën, për shkak të pandemisë Covid-19, më në fund futbolli rikthehet sot me rifillimin e kampionatit. Kjo ndërprerje e menjëhershme e jetës sportive na ka dëmtuar, edhe ekonomikisht, por sigurisht dëmi më i madh ka qenë ai sportiv.

Futbollistët e të gjitha niveleve, profesionistë, amatorë, fëmijët, nuk e kanë shumë të lehtë që të kapin të njëjtën formë sportive. Ndërprerja patjetër që ka lënë shenjën e saj dhe unë uroj ta kalojmë sa më parë, edhe pse jam i ndërgjegjshëm se nuk do të jetë e lehtë.

Edhe një herë përfitoj nga rasti t’u kujtoj të gjithë futbollistëve, zyrtarëve të klubeve dhe stafeve organizative që të jenë sa më të kujdesshëm, të zbatojnë rregullat e distancimit social dhe protokollet shëndetësore në lidhje me zhvillimin e ndeshjeve në këto kushte.

Protokolle me të cilat të gjithë aktorët dhe faktorët janë njohur tashmë. Unë jam i bindur që ju dhe stafet tuaja do të tregoheni të kujdesshëm në këtë drejtim, në mënyrë që gjithçka të shkojë sa më mirë. Ndihem i keqardhur që ne nuk do të kemi mbështetjen e spektatorëve nëpër stadiume.

Uroj që shumë shpejt masat kufizuese të lehtësohen dhe tifozët të kthehen në stadiume për të mbështetur skuadrat e tyre të zemrës. Uroj nga zemra që kampionati të vazhdojë të na dhurojë sërish emocione, lojë të bukur dhe Fair-play.

Edhe një herë, urimet e mia më të mira për rifillimin e kampionatit! Suksese të gjithëve! Armand Duka“, lexohet në postimin e kreut të futbollit shqiptar. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!