Arrestimi i Gjuriç, reagon Rusia: Sulm ndaj komunitetit serb

schedule22:47 - 27 Mars, 2018

schedule 22:47 - 27 Mars, 2018

Në reagimin e saj të parë në lidhje me arrestimin dhe më pas dëbimin e politikanit serb, Marko Gjuriç, nga Kosova, qeveria ruse ka deklaruar se synimi i këtij veprimi ka qenë frikësimi i komunitetit serb në Mitrovicën veriore. Në një komunikatë për shtyp, të cilës i referohet agjencia e lajmeve “Sputnik”, Moska zyrtare e dënon episodin e së hënës dhe bën përgjegjës edhe komunitetin ndërkombëtar, që sipas saj e ka ndjekur ngjarjen në pozitat e një spektatori.

Sipas Ministrisë së Jashtme ruse, nisur nga ajo që ndodhi është e qartë se Prishtina, Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara nuk kanë ndërmend të respektojnë të drejtat e komunitetit serb dhe synojnë të cënojnë interesat e tyre legjitime. Për palën ruse, ngjarja e së hënës përbën një precedent të rrezikshëm, që nxit konfliktet e armatosura në Kosovë dhe destabilizimin e Ballkanit në tërësi. Përpjekja për vendosjen e autoritetit të Prishtinës në zonat e banuara nga serbët, vijon komunikata, tensionon situatën dhe dobëson përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi./abcnews.al