Tabaku: Shqipëria do të kthehet 15 vjet pas, ka vetëm një rrugë për të rikthyer shpresën

schedule12:24 - 1 Qershor, 2020

schedule 12:24 - 1 Qershor, 2020

Banka Botërore ka publikuar një raport të fundit ku analizohet se shkalla e varfërisë në Shqipëri mund të rritet me 4 deri në 8 %, duke shkuar në rreth 40 për qind në skenarin e parë dhe 44 për qind në skenarin e dytë.

Ish-deputetja e Jorida Tabaku referuar raportit të Bankës Botërore u shpreh se shpëtimi i vetëm është largimi i qeverisë Rama.

Gjatë fjalës së saj Tabaku  theksoi se investimet e huaja, punësimi dhe zhvillimi ekonomik nuk janë prioritet i qeverisë, ndërsa shtoi se qytetarët po vuajtur gjithnjë e më shumë pasojat e krizës ekonomike.

“Shqipëria do të kthehet 15 vjet mbrapa, duke përhapur varfërinë tek gati gjysma e popullsisë. Banka Botërore thotë se goditjen më të madhe në vend do ta marrin qytetet dhe shtresa e mesme, pasi varfëria pritet të shkojë rreth 48% duke arritur në nivelet e vitit 2005”, u shpreh Tabaku.

Deklarata:

Në 7 vite Shqipëria është bërë një vend më i varfër, më i korruptuar, me taksat më të larta në rajon. Investimet e huaja, punësimi dhe zhvillimi ekonomik nuk janë prioritet i qeverisë, ndërsa qytetarët po vuajtur gjithnjë e më shumë pasojat e krizës ekonomike.

Për shkak të paaftësisë dhe korrupsionit gjigand të qeverisë së Edi Ramës, parashikimet e Bankës Botërore për ekonominë tregojnë për përkeqsimin të situatës.

Shqipëria do të kthehet 15 vjet mbrapa, duke përhapur varfërinë tek gati gjysma e popullsisë. Banka Botërore thotë se goditjen më të madhe në vend do ta marrin qytetet dhe shtresa e mesme, pasi varfëria pritet të shkojë rreth 48% duke arritur në nivelet e vitit 2005.

Banka Botërore parashikon se gati 1/3 e të punësuarve në Shqipëri, të cilët janë të vetëpunësuar, rrezikojnë të humbasin biznesin dhe të ardhurat e tyre.

Për shkak se qeveria nuk mori masat e duhura dhe lejoi që kriza ekonomike të shndërrohej në epidemi të papunësisë, Banka Botërore paralajmëron edhe rënien e të ardhurave për familjet shqiptare me rreth 12%.

Kategoria më e prekur nga braktisja e qeverisë janë të rinjtë, të cilët shikohen si potencial për emigrim të paligjshëm në vendet e zhvilluara europiane.

Lënia e qytetarëve në mëshirë të fatit nga Edi Rama tregohet fare qartë nga paketat që ajo vuri në dispozicion për ekonominë.

Duke qenë se paratë me të cilat duhet të siguronte vendet e punës dhe të ruante të ardhura të vazhdueshme për qytetarët, Edi Rama i çoi tek një grusht oligarkësh dhe për tendera luksi, Shqipëria është vendi me ndihmën më të vogël ekonomike në rajon. Tani që flasim, 3 muaj pas shpërthimit të pandemisë, as kjo ndihmë qesharake nuk është shpërndarë plotësisht.

Në kontrast me realitetin, ku mijëra biznese po mbyllen dhe mijëra të tjerë janë në prag falimentimi, Edi Rama kalon fundjavat në Francë me avion privat, duke bërë jetën luksoze të një politikani të korruptuar, që mendon vetëm si të vjedhë dhe të pasurohet.

E ardhmja për shtresën e mesme në Shqipëri, që për 7 vjet u masakrua nga taksat e Ramës, është gjithnjë e më e zymtë. Profesionistët e lirë, shtresa e mesme rrezikon të shndërrohet edhe më e varfër si pasojë e taksave të larta dhe krizës ekonomike. Edi Rama edhe në kohë krize përdori pandeminë për të shpërndarë qokat tek 4-5 oligarkë.

Shqipëria varfërohet nga RAMAVIRUSI, ndërsa ai vjedh përditë taksat dhe pronën e shqiptarëve. Vendi ka shtatë vite që tkurret duke u larguar gjithnjë e më shumë qytetarë, ndërsa kryeministri tallet dhe përbuz shqiptarët.

Ka vetëm një rrugë për të rikthyer shpresën – të largohet Rama përmes zgjedhjes dhe votës së lirë.

Ka vetëm një rrugë për t’i ikur duarve të hajdutit, për t’i ikur taksave të larta dhe kriminale, vjedhjes së pronës dhe sundimit të oligarkëve.

Për çdo qytetar që liritë e tij ngushtohen dita ditës, që biznesi i tij ul qepenin, që punën e tij e humbet pasi kriza ka goditur vendin e tij të punës, zgjidhja është e thjeshtë – largimi i RAMAVIRUSIT dhe Oligarkisë nga qeveria si dhe mbajtja e përgjegjësisë për çdo vendim të tyre./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!