Forca të shumta të policisë së Kosovës janë vendosur në gjendje gatishmërie mëngjesin e sotëm, në kufirin e Jarinjës, në veri të vendit.
Policia e Kosovës konfirmoi për mediat në vend, se gjenden në veri për të ndaluar hyrjen e mundshme në territorin e Kosovës, të drejtorit të Zyrës për Kosovën pranë Qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriç dhe Aleksandër Vulin. Vendimi për të mos lejuar hyrjen në territorin e Kosovës të dy zyrtarëve serbë është dhënë nga Ministria e punëve të jashtme. Sipas informacioneve dhe deklaratave të zyrtarëve serbë, ata këmbëngulin të vizitojnë veriun e vendit.
Sipas Ministrisë së jashtme të Kosovës kërkesa për vizitë i ishte refuzuar Gjuric dhe ekipit të tij, për shkak të situatës së krijuar ditët e fundit dhe pas deklaratave, të cilat kanë kontribuar në përshkallëzimin e tensioneve, si dhe deklaratave që nuk përputhen me marrëveshjen e Brukselit mes Kosovës e Serbisë. /abcnews.al