Spanja do të fillojë të lehtësojë masat e izolimit duke filluar nga e hëna, njoftoi të enjten Ministri i Shëndetësisë së vendit.
“Nga e hëna, rreth 70% e popullsisë spanjolle, ose 32 milion njerëz do të kalojnë në fazën e dytë. Rreth 30% e popullsisë ose 15 milion njerëz do të jenë ende në fazën e parë dhe 45,000 njerëz do të kalojnë në fazën e tretë,” deklaroi Ministri i Shëndetësisë i Spanjës në një konferencë për shtyp.
Një pjesë e rajoneve të Castilla, Valencia, Katalonja, Murcia, Andalucia dhe Castilla dhe Leon do të kalojnë në fazën e dytë, e cila lejon takime të deri në 15 persona që nuk jetojnë së bashku, do të rihapen disa shërbime restorantesh në ambiente të mbyllura, dyqane, kinema dhe muze.
Katër ishuj të vegjël në ishujt Balearik dhe Kanarie të Spanjës me popullsi të vogël dhe rrezik të ulët infeksioni do të kalojnë në fazën e tretë.
“Të dhënat janë të mira, por: është shumë e rëndësishme të dimë se kjo është një fazë shumë komplekse dhe secili duhet të mbaj përgjegjësi individuale sepse një gabim mund të rrezikojë gjithçka që kemi bërë deri tani, “shtoi Illa.
Rajoni i Madridit, i cili përfshin kryeqytetin e Spanjës dhe qytetet përreth, do të mbetet në fazën e parë pa ndonjë ndryshim, sqaruan zyrtarët e shëndetësisë.
“E gjithë ky evolucion është për shkak të përpjekjes së bërë nga populli dhe sistemi shëndetësor për të kontrolluar këtë epidemi,” tha Dr. Fernando Simón, drejtori Spanjoll i Qendrës për Emergjencat Shëndetësore.
Simón gjithashtu u tha gazetarëve se “rastet e reja” janë identifikuar shumë shpejt dhe po monitorohen nga afër nga autoritetet lokale për të “shmangur një shpërthim të ri dhe për të ruajtur këtë balancë të favorshme./abcnews.al