Zbulohet ku gjendet thesari me 28 ton flori që fshehu Adolf Hitleri

schedule14:03 - 28 Maj, 2020

schedule 14:03 - 28 Maj, 2020

Vendndodhja e 28 ton ari të epokës naziste të fshehur gjatë  Luftës së Dytë Botërore pretendohet se ndodhet në një pallat në Poloni.

Ari me vlerë miliarda euro, si dhe sendet e tjera po me vlerë thuhet se janë 60 metra nëntokë në fund të një pusi në bazat e Pallatit Hochberg në Roztoka, afër Wałbrzych. Pallati është  i familjes së famshme polake Hochberg, pronarë të pasurive të shumta në zonë.

Studiuesit kanë gjetur informacionin rreth vendit të fshehjes së sendeve të çmuara duke analizuar ditarin e një oficeri, i shkruar shtatëdhjetë e pesë vjet më parë. Ditari u shkrua nga Egon Olenhauer, të cilin Hitleri e urdhëroi të fshihte thesarin nazist.

Ditari jep detaje për njëmbëdhjetë vendndodhjet në Silesia e Poshtme dhe Opole, ku thuhet se gjenden gjërat e vlefshme, përfshirë këtu artin, artefaktet fetare dhe depozitat bankare, si dhe artet nga Gjermania, Polonia, Franca, Belgjika dhe Rusia.

Po ashtu ditari zbulon se vendndodhja në Roztoka mban depozita ari të Reichsbank në Breslau, tani qyteti polak Wrocław, dhe sende me vlerë që i përkisnin personave privatë në Silesia e Poshtme në 1945.

Nëse supozimet e studiuesve janë të vërteta, sendet e vlefshme me vlerë rreth 1.3 miliardë euro mund të jenë fshehur në Poloni. Megjithatë, shkencëtarët nuk kanë marrë ende leje për të gërmuar në vendin e fshehjes.

Ekzistenca e ditarit të luftës doli në dritë në mars të vitit të kaluar kur një fondacion në Opole me emrin Silesian Bridge njoftoi se kishte marrë ditarin nga partnerët e tij në Gjermani. Gjermanët donin t’ia dhuronin ditarin kombit polak si një ndjesë për Luftën e Dytë Botërore. /abcnews.al