Gjatë vizitës zyrtare që po zhvillon në SHBA, Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj zhvilloi nje takim me me zëvendësdrejtorin e DEA (Agjencisë për luftën kundër drogës), Anthony Williams dhe ekipin e tij të Drejtorisë Operacionale.
Sipas njoftimit te ministries se Brendshme, Ministri Xhafaj bëri një ekspoze të arritjeve në luftën kundër kultivimit të kanabisit duke u ndalur në masat dhe rezultatet e vitit 2017, të cilat, sipas tij, bënë të mundur nxjerrjen e vendit nga harta e vendeve, që kultivojnë kanabis. Ai prezantoi disa nga masat kyçe të programuara për të garantuar këtë standard edhe gjatë vitit 2018.
Në vijim, ministri Xhafaj falënderoi DEA-n për bashkëpunimin dhe kërkoi një intensifikim të këtij bashkëpunimi në të ardhmen.
Drejtuesve të Agjencisë amerikane iu paraqit një përmbledhje e punës së bërë në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”, identifikimit dhe analizës së grupeve kriminale në fushën e trafikut të drogës, hetimeve ndaj veprimtarisë dhe aseteve të tyre kriminale.
Gjithashtu u diskutua lidhur me mbështetjen që DEA mund të ofrojë për identifikimin e rrugëve të pastrimit të parave jashtë territorit të Shqipërisë dhe sigurimin e provave. Pas takimit me drejtuesit e DEA-s, Xhafaj u prit edhe në Departamentin Amerikan të Shtetit, nga Matthew Palmer, i ngarkuar me detyrën e zëvendësndihmësit të Sekretarit të Shtetit për Evropën dhe Euro-Azinë.
Ndërkohë në fund Xhafaj u takua me Zëvendës Koordinatoren për Antiterrorizmin, Alina Romanowski, duke nënshkruar një marrëveshje me të. Ai u fokusua në përpjekjet e Shqipërisë lidhur me parandalimin e fenomenit të radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm si dhe forcimin e luftës kundër terrorizmit. /abcnews.al