Lufta kibernetike/Pas Rusisë, SHBA kthen sytë nga Irani

schedule20:15 - 23 Mars, 2018

schedule 20:15 - 23 Mars, 2018

Pas Rusisë, e akuzuar për ndërhyrje kibernetike në zgjedhjet presidenciale, Shtetet e Bashkuara i kanë shpallur luftë Iranit, duke vendosur sanksione ndaj një grupi personash dhe një kompanie të akuzuar për vjedhje të dhënash.

 

Autoritetet në Shtetet e Bashkuara njoftuan këtë të premte ngritjen e akuzave penale dhe vendosjen e sanksioneve ndaj 9 shtetasve iranianë dhe një kompanie për organizimin e sulmeve kibernetike. Sipas autoriteteve, personat në fjalë kanë organizuar sulmet për të vjedhur të dhëna ndaj disa qindra universiteteve, bizneseve dhe institucioneve qeveritare në Amerikë dhe Europë. Individët në fjalë janë ndihmuar nga kompania “Mabna Institute”, një agjenci kërkimore iraniane, që financohej nga qeveria në Teheran. Duke njoftuar lajmin në një konferencë për shtyp, nënprokurori i përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Rod Rosenstein ka deklaruar se personat në fjalë aktualisht janë në arrati dhe rrezikojnë ekstradimin nga më shumë se 100 vende të botës nëse udhëtojnë jashtë Iranit. Sidoqoftë ata nuk akuzohen se varen drejtpërdrejtë nga qeveria iraniane, por për veprime kriminale të financuara nga instituti “Mabna”, i financuar nga Garda Revolucionare, njësia ushtarake elitë që kujdeset për sigurinë e Republikës Islamike./abcnews.al