Ish-sulmuesi i kombëtares italiane, Luca Toni, shprehet se ka qenë gjithmonë i bindur se Franck Ribery bëri gjënë e duhur që u transferua në Seria A. Të dy lojtarët kanë luajtur së bashku te Bayern Munchen dhe kanë vazhduar ta ruajnë miqësinë mes tyre.
“Ne dolëm për darkë në Mynih dhe transferimi i tij në Itali filloi si shaka. Ai kërkonte të luante ende, edhe pse mësoi se bavarezët nuk dëshironin t’ia rinovonin kontratën. Mendova se Fiorentina do të ishte klubi ideal për Franck”, deklaroi Toni në një video live në Instagram.
”Presidenti Commiso? Mendoj se një ndryshim në presidencë ishte i nevojshëm. Familja Della Valle meriton shumë respekt, pasi ishin ato që e rikthyen Fioren në Seria A. Shikoj shumë entuziazëm dhe mentalitet europian nga pronarët e rinj. Më bëhet qejfi kur dëgjoj të flitet se do të ndërtohet një stadium i ri, si dhe një qendër e re stërvitore”, mbyll ish-sulmuesi italian. /abcnews.al