Meta uron Fitër Bajramin: Bashkoj lutjet e mia për ata që e kanë pasur të vështirë në kohë pandemie

schedule19:23 - 23 Maj, 2020

schedule 19:23 - 23 Maj, 2020

Presidenti i vendit Ilir Meta ka uruar besimtarët myslimanë për Fitër Bajramin.

Me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Meta shkaun se “agjërimi si rit abrahamik, për besimtarët risjell çdo vit nevojën e largimit nga ligësitë që janë pasojë e mospajtimit të arsyes me dëshirat.

Po ashtu presidenti shkruan se Fitër Bajrami përcjell mesazhin e natyrshmërisë njerëzore, të paqes me veten, me njerëzit dhe universin në tërësi, nëpërmjet vetë-privimit ndaj egos dhe mposhtjes së kapriçove abuzive.”

Meta thekson se bashkon lutjet me besimtarët për jetimët, pensionistët, të sëmurët dhe të pamundurit, të cilët, shton ai,  në këtë kohë pandemie e kanë patur më të vështirë.

Postimi i plotë:

GËZUAR FITËR BAJRAMIN!

Sot besimtarët myslimanë kremtojnë përkushtimin dhe sakrificën e Muajit të Madhërueshëm të Ramazanit, muajit të vetëpastrimit shpirtëror, të amnistisë hyjnore dhe solidaritetit njerëzor.

Agjërimi si rit abrahamik, për besimtarët risjell çdo vit nevojën e largimit nga ligësitë që janë pasojë e mospajtimit të arsyes me dëshirat.

Fitër Bajrami përcjell mesazhin e natyrshmërisë njerëzore, të paqes me veten, me njerëzit dhe universin në tërësi, nëpërmjet vetëprivimit ndaj egos dhe mposhtjes së kapriçove abuzive.

Suksesi i njeriut qëndron tek forca për të kapërcyer vështirësitë, me dashuri dhe respekt ndaj njëri-tjetrit, siç porosit Profeti Muhamed: “Nuk do të jeni besimtarë deri sa ta doni njëri-tjetrin”.

Bashkoj lutjet e mia me ju, për jetimët, pensionistët, të sëmurët dhe të pamundurit, të cilët në këtë kohë pandemie e kanë patur më të vështirë.

Zoti ua pranoftë agjerimin gjatë Muajit të Bekuar të Ramazanit!

Gëzuar festën e Fitër Bajramit, me shëndet e mbarësi!

Me lutjet tuaja dhe të gjithë shqiptarëve, Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët kudo ku ndodhen.  /abcnews.al/