Fier/Shkëmbim zjarri me policinë, vritet një grabitës

schedule08:53 - 23 Mars, 2018

schedule 08:53 - 23 Mars, 2018

Valbona Daci:Katër persona të armatosur dhe të maskuar tentuan të grabisin banesën në katin e tretë të këtij pallati. U ndeshën me rezistencën e pronarit dhe mbërritjen e menjëhershme të policisë pas njoftimit. Bilanci i ngjarjes është një nga autorët i vdekur, një tjetër i plagosur dhe dy të tjerë të shpallur në kërkim”.

Për afro 15 minuta, Policia e Fierit ka shkëmbyer zjarr me katër persona që kishin shkuar për të grabitur një banesë në lagjen “29 Nëntori” në Fier. Gjatë këtij shkembimi zjarri një grabitës është vrarë dhe një tjetër është plagosur. Ndërsa, 2 grabitës kanë arritur të largohen, sipas dëshmitarëve, me një fuoristrade.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:00 të mëngjesit të sotëm. Minella Muçi, pronari i shtëpisë, që u sulmua nga grabitësit, njoftoi policinë dhe në pak kohë shërbimet e policisë mbërritën në vendngjarje. Aty efektivët u përballen me disa persona të maskuar e të armatosur me pistoleta e automatikë, të cilët kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të tyre.

Policia e Fierit njoftoi se nga shkëmbimi i zjarrit, njëri nga autorët është plagosur dhe një tjetër ka gjetur vdekjen. Të dy ishin të maskuar e të armatosur me pistoleta, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. I plagosuri, sipas policisë është, Arben Muçaa, dhe po mbahet në spital në masa të rrepta sigurie. Ai ka të njëjtin mbiemër me pronarin e shtëpisë që sulmuan, por nuk dihen nëse kanë lidhje gjaku me njëri-tjetrin. Vetë Minella Muçi është shofer dhe nuk njihet si një person me pasuri, por për një familje me jetë modeste.

Autorët e tjerë, që dyshohet se janë dy persona, arritën të largohen, duke përfituar nga errësira dhe kushtet e motit. Nga radhët e Policisë së Shtetit mësohet se nuk ka efektivë të lënduar. Menjëherë janë ngritur pika të shumta kontrolli në të gjitha hyrje-daljet e qytetit të Fierit dhe po vijon puna për kapjen e autorëve të tjerë të këtij sulmi. Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar një numër i konsiderueshëm provash materiale./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!