Duke folur nga selia e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi është shprehur se kryeministri e shkatërroi Teatrin sepse gjithë jetën ëndërroi që të luante në atë skenë por nuk mundi.
Kjo pasi sipas saj i mungonte talenti dhe gjithnjë është përbuzur pasi donte ta shkatërronte atë skenë.
Kryemadhi u shpreh: “Ëndërroi gjithë jetën të luajë në atë skenë parandaj e shkatërroi, se paaftësia e tij nuk ia dha shansin që të ishte i duartrokitur në atë skenë. Ka qenë i përbuzur se ka dashur ta shkatërrojë atë skenë.”
Duke përmendur fjalën e kryeministrit në Kuvend, Kryemadhi u shpreh se ishte thjesht një aktrim mediokër, në panik jo profesional që tregonte frikën që ka nga qytetarët e tij.
Kryemadhi: “Një aktrim medioker, në panik, jo profesional. Hapja e krahëve të tij si shqiponjë, një larskë e zezë që vajton për rrënojat e Teatrit…tregon frikën që ka nga qytetarët e tij, halucinacionet që në çdo moment i rrethohen rreth kokës. Këto makthe do të ndjekin pa fund. Rrënojat e teatrit nuk janë aq të mëdha, janë rrënojat e sistemit të drejtësisë së shtetit..shumë më të mëdha se ato të teatrit.”
Po ashtu kryetarja e LSI, u shpreh se “ky njeri që flet për fasadën dhe luksin duhet të shohë sesi i janë qytetarët që u ka mbyllur bizneset dhe i ka falimentuar.
“Nuk e shlyen dot dëmin që i ka bërë shqiptarëve dhe brezave të ardhshëm. Ky njeri që flet për fasadën luksin, për mrekullinë e madhe që u ka ndërtuar shqiptarëve, të shohë si u ka mbyllur bizneseve, si i kanë falimentuar, nuk kanë mundësi të paguajnë faturat”, shtoi ajo më tej.
Kryemadhi u shpreh gjithashtu se kryeministri po kërkon që të shkatërrojë trashëgiminë kulturore dhe se ka shkatërruar edhe sistemin arsimor.
“Kërkon të shkatërrojë trashëgiminë kulturore. E rrënoi sistemin arsimor. Në kurrikula nuk ka asgjë për identitetin kombëtare. Ky njëri i është servirur shoqërisë tonë si modern, njeri me mendje të hapur, por nuk ishte veçse shkatërrues i të ardhmes së fëmijëve shqiptarë,” deklaroi më tej kryetarja e LSI. /abcnews.al/