Presidenti egjiptian Abdel Fattah al-Sisi priti në Kajro homologun e tij kinez, Xi Jinping, në vizitën e parë të liderit kinez në Egjipt pas një dekade.
Takimi zhvillohet në një periudhë të tensionuar për Lindjen e Mesme, ndërsa përplasja SHBA-Iran po ndikon në marrëdhëniet dhe aleancat rajonale.
Xi Jinping u prit me një ceremoni zyrtare ushtarake në pallatin presidencial në Kajro, ku u zhvillua edhe një përshëndetje me 21 të shtëna topash, në nder të vizitës së tij.
Vizita e presidentit kinez vjen në një kohë kur tensionet në Lindjen e Mesme janë përshkallëzuar dhe Uashingtoni po rrit presionin ndaj vendeve dhe kompanive që mbajnë marrëdhënie tregtare me Iranin.
Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar së fundmi vendet me lidhje me Teheranin se mund të përballen me masa ndëshkuese, përfshirë kufizimin e aksesit në sistemin financiar perëndimor.
Kina, një prej partnerëve kryesorë ekonomikë dhe tregtarë të Iranit, po përpiqet të forcojë bashkëpunimin me Egjiptin, ndërsa Kajro përballet gjithashtu me presionin e sanksioneve amerikane.
Javën e kaluar, Departamenti i Thesarit i SHBA-së njoftoi sanksione ndaj degëve në Emiratet e Bashkuara Arabe të Banque Misr, bankës më të madhe të Egjiptit, për shkak të dyshimeve se ato kanë kryer aktivitete biznesi me Iranin.
Në këtë klimë të re gjeopolitike, takimi Xi-Sisi pritet të fokusohet te forcimi i marrëdhënieve dypalëshe, tregtia dhe bashkëpunimi ekonomik, por edhe te zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme.
Vizita e Xi Jinping në Kajro shihet si një sinjal i rëndësishëm për pozicionimin e Kinës në rajon, në një kohë kur presioni amerikan ndaj partnerëve të Iranit po rritet.
/abcnews.al/

