Aleksander Ceferin, presidenti i UEFA, ka besim se gjërat në futboll do të kthehen si më parë, madje më shpejt se shumëkush e mendon dhe e imagjinon. “Ne jemi gati dhe do të ndjekim rekomandimet e autoriteteve, por jam plotësisht i sigurt se futbolli i bukur, ai i vjetri, me tifozët e tij, do të kthehet shumë shpejt”, shprehet fillimisht Ceferin për “The Guardian”.
Europiani ishte çështja tjetër për të cilën kreu i UEFA foli: “A do të vija bast 1 milion dollarë që Europiani do zhvillohet në vitin 2021? Nuk e di pse mund të mos luhet. Nuk mendoj se virusi do të zgjasë përgjithmonë, mendoj se gjërat do të ndryshojnë më shpejt se sa e mendojnë një pjesë e madhe e njerëzve.
Situata është serioze, por infeksionet janë në rënie. Tani jemi më të kujdesshëm, pasi e njohim më mirë këtë virus. Personalisht jam optimist dhe nuk më pëlqen ky vizioni apokaliptik, që do të duhet të presim një valë të dytë, të tretë, të pestë”. /abcnews.al