Minatorët para Kryeministrisë/Flet Xibri pas takimit

schedule12:21 - 21 Mars, 2018

schedule 12:21 - 21 Mars, 2018

Një grup minatorësh protestoi sot paradite para Kryeministrisë për të kërkuar statusin e minatorit dhe plotësimin e kërkesave të tjera, për të cilat kanë kërkuar përgjigje nga kryeministri Rama.

Minatorët i dhanë 30 minuta kohë kryeministrit Edi Rama për t’i takuar. Pasi ky takim nuk u arrit, minatorët dhe përfaqësuesit e sindikatës së tyre tentuan të çajnë kordonin e policisë për të hyrë brenda ndërtesës se kryeministrisë. Në listën e kërkesave, miratimi i statusit të minatorëve renditet i pari. Gjithashtu minatorët  kërkojnë që pensioni minimal nuk duhet të jetë më pak se 175% të pagës minimale.

Një tjetër kërkesë është përshkallëzimi i moshës së pensionit, pasi sipas tyre një minator që ka punuar 12 vjet e 6 muaj del në pension 55 vjeç kurse një tjetër që ka punuar 12 vjet e 5 muaj e përfiton pensionin në moshën 65 vjeç. Kërkesat e tjera kanë të bëjnë me trajtimin shëndetësor, si dhe me minatorët që aksidentohen apo humbin jetën në punë.

Një kordinatore e kryeministrisë për bashkëqeverisjen bisedoi për disa minuta në selinë e qeverisë me disa përfaqësues të minatorëve. Pas këtij takimi për rezultatet e tij, foli para protestuesve dhe mediave Fiqiri Xibri, kreu i sindikatës së minatorëve.

Më herët për ABC News ata u shprehën se nuk kërkojnë mëshirë, por hakun e tyre.

“Jemi sot këtu për statusin e minatorit, vajta 65 vjeç s’po marr dot pension, mbas 15 vitesh s’duan të na njohin vitet e kooperativës”.

Sa vjet keni punuara në minierë?

Kam punuar 14 vjet, kam punuar me çizme ne temperaturë 50-60 gradë dhe paguhem 150 mijë lekë të vjetra. Kam dy fëmijë studentë në shkollë të lartë. Kam paguar 800 mije lekë me fjet në konvikt të shtetit, dhe takse shkolle”.

Një tjetër minator shprehet se ka punuar për 20 vjet në minierë dhe në kohën kur ishte Meksi kryeministër dhe Berisha President dolën në pension.

“Kam punuar nga vitet ‘75-‘95 në minierë. Në kohën e Berishës President dhe Meksit nxorrën dekret që të gjithë ata punëtorë që kanë 20 vite punë të dalin në pension në 95 . Nga 1 janari i 95 na nxorri në rrugë të madhe”.

“Unë kërkoj statusin, djersën time”. /abcnews.al