Idrizi në Abc News: Me rënien e Teatrit ra edhe fasada e sistemit demokratik në Shqipëri

schedule14:15 - 19 Maj, 2020

schedule 14:15 - 19 Maj, 2020

Me shembjen e Teatrit Kombëtar ka rënë edhe “fasada e sistemit demokratik në Shqipëri.”Kështu është shprehur kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi gjatë një interviste të bërë me gazetaren Juli Xhokaxhi në Abc News.

Idrizi u shpreh se nuk u prish vetëm godina e Teatrit në këtë rast, por bashkë me të ikën edhe kujtimet e shumta të një brezi si dhe historia dhe kultura që bartte.

Kreu i PDIU shprehet:

“Për ne që e kemi pasur gjysmën e jetës nën atë regjim, ka qenë një gjë shumë gjë e jashtëzakonshme. Sepse për ne teatri ishte një ndër ngjarjet më të rëndësishme kulturore, artistike të formimit tonë artistik, por edhe të nostalgjisë. Për brezin tonë teatri është akoma më i rëndësishëm. Dhe kur teatri ikën, padyshim ikën dhe një pjesë e jotja. Teatri nuk janë thjhesht dhe vetëm ato mure aty, por mos harrojmë që ka qenë edhe vendi që i ka dhënë shpirt i kanë dhënë fytyrën dhe sharmin e tyre korifejtë e teatrit shqiptar.”

Më tej, Idrizi thekson se Shqipëria po jeton në një regjim që nuk i lejon përkujtimet dhe trashëgiminë kulturore historikë. Sipas tij, Teatri tregoi “fytyrën e vërtetë të këtij regjimi.”

Shpëtim Idrizi:

“Teatri tregoi fytyrën e vërtetë të këtij regjimi ku paligjshmëria, mënyra sesi u morën vendimet, në mes të natës. Mos harrojmë që e prishi, por edhe dhuna policore a thua se ne jemi një vend i pushtuar. Me thënë të drejtën e kam parë me shumë pozitivitet sjelljen e policisë gjatë kohës së pandemisë, por kam mbetur i befasuar me dhunën, arrogancën, egërisnë e atyre policëve për të kapur një protestues të qetë.”

Po ashtu, Idrizi ka folur edhe rreth një statusi të bërë më herët nga ministri i Punëve të Brendshme Sandër Lleshaj rreth mënyrës sesi policia gjatë protestës.

“Kur shihni një polic duhet të shihni fytyrën e ministrit të Brendshëm”, në lidhje më këtë deklaratë të ministrit, Idrizi thotë: Për pjesën e parë jam plotësisht dakord që kjo polici mesa duket, ka fytyrën e tij, dhe se çdo njeri ka një fytyrë edhe përballë Zotit që ai përmend dhe përballë publikut.”

“Por praktikisht nuk ka njeri sot që nuk e di që ne sot ne ndodhemi në pushtetin absolut të një njeriu. Pra jemi praktikisht në një regjim dhe ka rënë çdo fasadë e demokracisë. Dhe, jo vetëm se këtë e themi ne, por një njeri me vota të vjedhura…sot ka uzurpuar jo vetëm ekzekutivin por edhe parlamentin, është një parlament fasadë”, shton më tej gjatë fjalës së tij kreu i PDIU.

Po ashtu Idrizi u shpreh se ndihet i turpëruar që përpara katër vitesh firmosën dhe votuan Reformën në Drejtësi, por sot nuk kemi as Gjykatë Kushtetuese.

Shpëtim Idrizi:

“Ndihem i turpëruar që para katër vitesh ne firmosëm dhe votuam me shumë dëshirë në Reformën në Drejtësi dhe sot ne nuk kemi as Gjykatë Kushtetuese dhe është dekapituar edhe sistemi i drejtësisë. Dhe kjo nuk është rastësi.” /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!