Gjykata e Posaçme e Apelit ka vendosur “Arrest me burg” për ish-Drejtorin e Policisë së Vlorës Jaeld Çela.
Çela ka mohuar akuzat në prokurori ndërsa 3 ditë më parë vendosi të vetëdorëzohej në Drejtorinë e Policisë së Tiranës pas qëndrimit në arrati prej gati 3 vitesh.
Sipas avokatit Petrit Ismaili, kjo nuk quhet “arrati”, pasi Jaeld Çela ka qenë i përfaqësuar në seancat gjyqësore që zhvilloheshin ndaj tij.
Në një reagim për mediat, avokati tha se Çela është dorëzuar në kohë, pasi tani janë rrëzuar të gjitha akuzat e Prokurorisë.
“Dorëzimi është bërë në kohën e duhur. Gjithçka është bërë në momentin kur kemi hedhur poshtë të gjitha akuzat e prokurorisë, ndaj dhe është vetëdorëzuar. Ai kurrë nuk ka qenë në arriti, por ka ndjekur procesin gjyqësor”, u shpreh Ismaili.
Seanca ditën e sotme u zhvillua me dyer të mbyllura ndërkohë që ABC News ka mësuar se në datën 28 maj do të jetë seanca e radhës për ish-ministrin Saimir Tahiri, dhe ish-drejtorin e Policisë Vlorë Jaeld Cela.
Lexo edhe: Abc News siguron pamjet: Momenti i dorëzimit të Jaeld Çelës në polici
Ndërkohë procesi gjyqësor i dy zyrtarëve të tjerë të policisë së Vlorës, Sokol Bode dhe Gjergj Kohila, është ndarë nga çështja e ish-ministrit Tahiri, dhe është pezulluar për 1 vit, me arsyen se 2 ish-zyrtarët e policisë së Vlorës vazhdojnë të qëndrojnë në arrati.
Trupa gjykuese që do të vendosë për fatin e ish-ministrit Saimir Tahiri dhe ish-drejtorit të policisë janë: Albana Boksi, Nure Dreni dhe Nertina Kosova.
Lexo edhe: Artan Hoxha flet për SMS-në në celularin e Jaeld Çelës: Mbeti pa përgjigje
Kush është Jaeld Çela
Ish efektivi i lartë i policisë u hetua nga prokuroria për trafik droge dhe favorizim të grupit kriminal të vëllezërve Habilaj, gjatë viteve 2015-2016, kur ai drejtonte Policinë Vlorë, së bashku me ish-Ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.
Gjykata për Krimet e Rënda e deklaroi atë të pafajshëm për këto akuza, por e shpalli fajtor për shpërdorim detyre. Për këtë ai u dënua me 5 vite burg, por që me gjykim të shkurtuar dënimi përfundimtar i shkoi në 3 vite e 4 muaj.
Në nëntor të vitit 2017, Prokuroria e Krimeve të Rënda urdhëroi arrestimin e tre drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit: Jaerd Çelës, ish-drejtori i policisë së Vlorës; Gjergji Kohilës, shefi i sektorit të luftës kundër krimit të organizuar në drejtorinë e Qarkut Vlorë; dhe Sokol Bodes ish-kreu i policisë kufitare të Dhërmiut.
Operacioni u dekonspirua, ndërsa 3 drejtuesit e policisë arritën të shpëtonin.
I ftuar në studion e Abc News, gazetari Artan Hoxha tha se nuk dihet se ku ka qëndruar për rreth 3 vjet ish-kreu i policisë së Vlorës duke theksuar se ai kishte gjetur një ditë të qetë për t’u dorëzuar siç ishte e shtuna e sotme./abcnews.al