Artistët shkodranë protestuan në heshtje kundër prishjes së godinës së Teatrit Kombëtar në Tiranë. Aktorët e teatrit “Migjeni”, mbanin në duar pankarta me mbishkrime: “Poshtë diktatura”, ” Unë jam teatri”.
Aktorja Rita Gjeka kujton mes trishtimit pamjet e shembjes së teatrit 80 vjeçar.
“Ngjarja e djeshme nuk na ka zemëruar vetëm ne, por thikën pas shpine na e kanë ngulur vetëm ne. Një komb pa teatër është i destinuar të jetë komb i shkelur, jo se nuk jemi Komb i shkelur se të drejtat na shkelën çdo ditë. Një ditë na shembën Teatrin, një ditë na janë rrahur fëmijët dhe ne vazhdojmë të durojmë.
E paskemi pasur lëkurën shumë të fortë. Trupa e Teatrit “Migjeni” është në moshë shumë të re. Unë, që jam më e vjetra çfarë shprese do t’i jap kësaj rinie. Si mund t’i bëj këta të rinj të vijnë të punojnë në Teatrin “Migjeni”. Është njësoj sikur kanë shembur Kishat”, u shpreh ajo.
Zemërimi shfaqej edhe te artistja Merita Smaja e cila u shpreh se Teatri është shpirt dhe tashmë askush nuk ka më shpirt.
“Mendoj që është koha e vdekjes së shpirtit, askush nuk ka më shpirt dhe Teatri është shpirt”, u shpreh ajo.
Ka nga ato artistë që e cilësuan vendimin për prishjen e Teatrit si më të turpshmin në këto 30 vite. Protesta e aktorëve të Teatrit u mbyll me një marshim nga Teatri “Migjeni” deri tek sheshi “Luigj Gurakuqi”. /abcnews.al